Mustafa: Vizita e Kurtit në SHBA është një pamje e keqe, pajtohem me të për Ballkanin e Hapur

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kritikon Qeverinë Kurti për qasjen në dialog me Serbinë. Ai thotë se kryeministri Kurti, mbi 1 vit qeverisje s’ka punuar asgjë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por ka rrëshqitur në dialog teknik. Madje, për të pagjeturit, që është thënë se ka përparim në arritjen e një ujdie, Mustafa ia atribuon meritat Qeverisë Hoti.

Lajme

05/06/2022 12:02

Në një intervistë për KosovaPress, ish kryeministri kërkon ndihmën e ShBA-së për të dalë nga ngërçi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dialog s’ka pasur, këtë që po bëhet nuk e konsideroj dialog. Ky është një dialog vetëm në nivel teknik, çështje teknike, tabelave të automjeteve, ndërsa në çështjen e të pagjeturve ka punuar më shumë Qeveria Hoti dhe zotëri Skender Hyseni, së bashku me ekipën, tjetër s’është punuar asgjë. Tani tek përmbyllja e procesit të dialogut është e rëndësishme që Qeveria të ofrojë zgjidhje për këtë, nëse nuk i pëlqen Asociacioni ka të drejtë të mos i pëlqejë, mirëpo duhet të ofrohet një zgjidhje tjetër, në mënyrë që të përmbyllet procesi i dialogut dhe të vijmë te njohja reciproke”, thotë ai.

Ani pse vet si kryeministër e ka nënshkruar marrëveshjen për parimet e Asociacionit në vitin 2015, Mustafa thotë se fokusi kryesor duhet të jetë marrëveshja e ratifikuar në Kuvend në vitin 2013.

Mustafa të rrezikshme e sheh edhe ridialogimin me Serbinë për Asocacionin, pasi, sipas tij kërkesat veçse do të rriteshin.

“Edhe te(vendimi) Gjykata Kushtetuese edhe te kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare dhe ShBA-së dhe BE-së, është fokusimi tek marrëveshja e vitit 2013, jo te dokumenti i vitit 2015. Pasi edhe Kushtetuesja e ka thënë se duhet të zbatohet marrëveshja e vitit 2013 sepse është bërë pjesë e sistemit juridik të vendit. Tash ndërkombëtarët e kthejnë aty sepse aty është baza ku ka vendos Kuvendi. Tash si do të zbatohet ajo është çështje tjetër, pjesë e së cilës janë edhe gjashtë pikat e para që flasin për themelimin e Asociacionit. Tash nëse hyhet edhe një herë dhe dialogohet për Asociacionin, shoh se është mjaft me rrezik, pasi me kalimin e kohës, gjithmonë kërkesat e Serbisë rriten”, shton Mustafa për KosovaPress.

Duke komentuar vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA, Mustafa thotë se ajo ishte një pamje e keqe, sepse asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që kryeministrin e Kosovës mos ta presin krerët më të lartë në ShBA.

Për këtë arsye, ai i kërkon shefit të ekzekutivit të qartësojë relacionet me aleatët strategjik të Kosovës, veçanërisht ShBA-të.

“Është një pamje e keqe, përvojë shumë e keqe, pasi nuk na kanë ndodhur kurrë që të shkojmë në ShBA dhe mos të na presin të gjithë me radhë. Tash unë s’mundem me nënçmuar pritjen e këshilltarit për siguri kombëtare dhe nga kongresmenët dhe senatorët, por pritja duhet të bëhet në departamentin e shtetit, sekretari shtetëror, presidenti, zëvendës presidenti…. Kryeministri Kurti, e tërë qeveria dhe presidentja duhet t’i qartësojnë relacionet e tyre me partnerët tanë strategjik, veçanërisht me ShBA-në”, deklaron ai.

Mustafa, megjithatë, pajtohet në një pikë me kryeministrin Kurti.

Ai thotë se mospjesëmarrja e kreut qeveritar në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur është e duhur.

“Qeveria dhe zotëri Kurti në këtë rast ka të drejtë. Ne nuk jemi të barabartë në këtë Ballkan të Hapur, nëse Serbia nuk i pranon dokumentet e Kosovës, nëse Serbia bën problem në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në territorin e Serbisë, nëse Serbia se ka njohur dhe po kundërshton edhe më tutje të njoh Kosovës. Kështu ne do të jemi një subjekt i pabarabartë në këtë Ballkan të Hapur. Pasi disa janë aty që e njohin mirë njëri-tjetrin, njihen si shtete dhe kanë relacione të forta shtetërorë dhe disa të tjerë që janë në pozicion të keq, pikëpamje të trajtimit që i bënë Serbia Kosovës në tregti të jashtëm dhe brendshëm. Problemi tjetër që e kam kundërshtuar edhe sa kam qenë në qeveri, është pozicioni gjeografik i Kosovës në këtë Ballkan të Hapur, pasi gjitha vendet e tjera përkufizohen me ndonjë shtet të BE-së, ndërsa ne jemi krejt të mbyllur”, thekson ai.