Mustafa “thumbon” Abdixhikun: S’mund të sillesh me logjikën “s’të dua ty në pushtet por s’e dua as vetveten”

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë situatë si pasojë të mungesës së përgjegjësisë politike nga partia që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se kjo nuk e bën…

Lajme

30/07/2025 19:33

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë situatë si pasojë të mungesës së përgjegjësisë politike nga partia që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se kjo nuk e bën atë automatikisht fituese të zgjedhjeve.

Mustafa, në një prononcim për IndeksOnline, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit, gjë që sipas tij, dëshmon edhe mungesën e mbështetjes për formimin e një qeverie të re.

“U pa qartë se VV nuk i ka votat për ta zgjedhë kryeparlamentarin, dhe rrjedhimisht as për formimin e qeverisë,” ka deklaruar Mustafa.

Ai është shprehur kritik edhe ndaj ideve për përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e këtij ngërçi institucional. Sipas tij, një veprim i tillë është i gabuar dhe i dëmshëm për demokracinë parlamentare.

“Kërkesa që Kushtetuesja ta zgjidhë këtë problem, nuk është e drejtë dhe, sipas tij, është më shumë e dëmshme sesa e dobishme në pikëpamje të demokracisë parlamentare,” ka theksuar Mustafa, duke shtuar:

“Sidomos në një situatë kur partia në pushtet s’po përfillë elementet bazike të Kushtetutës. Në një situatë normale, më shumë ka vend për ndërhyrje të gjykatave tjera për të sjellë para përgjegjësisë ata që po e shkelin rendin Kushtetues sesa vet Gjykata Kushtetuese. Uzurpimi i pushtetit është në kundërshtim me Ligjin. Uzurpimi i pozitës së kryesuesit të Kuvendit duke devijuar rendin e ditës me manipulim të kërkimit të votave për votim të fshehtë e jo për kandidatin e propozuar për kryetar/e ngjan në paradoks kushtetues, ligjor, e të praktikës tonë parlamentare. Ata që abuzojnë me rolin e tyre, do duhej të kenë punë me ligjin, jo me Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta është e qartë, duhet të zbatohet e jo të rishkruhet, ashtu siç ka ndodhur. Kushtetuta njeh shumicën, si rregull të demokracisë.”

Tutje, Mustafa ka theksuar se nëse partia që ka dalë e para nuk arrin të krijojë shumicë, atëherë duhet t’u hapë rrugë të tjerëve.

“Nëse partia, e cila ka dalë e para mund të krijojë shumicën për të konstituuar Kuvendin dhe për ta bërë qeverinë, ecet përpara, nëse jo, lëshon hapësirë që ata që nuk i bashkohen,” është shprehur ai.

Ai gjithashtu ka kritikuar edhe qasjen e opozitës së djeshme, duke thënë:

“Edhe opozita e djeshme s’mund të sillet me logjikën – s’të dua ty në pushtet por s’e dua as vetveten. Me refrenin – S’bëjmë gabime si ata para nesh. Çdo hap në politikë sfidohet me gabime dhe me suksese, para së gjithash me marrje të riskut.”

Ndryshe, aktualisht Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme duke pezulluar çdo vendim të deputetëve deri më 8 gusht, kur pritet të marrë vendim për kërkesat e paraqitura nga PDK dhe LDK lidhur me seancat dhe zhvillimet e fundit në Kuvend.