Mustafa: Taksën po e paguan 100 për qind Kosova e jo Serbia

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se pavarësisht vendosjes taksës, marketet vazhdojnë të jenë të mbushura me mallra serbe e boshnjake.

Lajme

17/03/2019 15:46

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se tarifën e qeverisjes aktuale nuk po e paguan Serbia dhe Bonje e Hercegovina, por që sipas tij, 100 për qind po e paguan Kosova, shkruan lajmi.net.

Kjo pasi që sipas tij, pavarësisht vendosjes së taksës prej 100 për qind nga qeveria e Kosovës për këto dy vende, në marktete po vazhdojnë të jenë prezent mallrat serbe dhe boshnjake.

Sipas Mustafës, kjo ka bërë që të rritet evazioni fiskal, korrupsioni, etj.

“Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencioneve të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur”, ka shkruar Mustafa në Facebook, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Mustafës pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë,

Tarifën e kësaj qeverisjeje nuk po e paguan Serbia dhe Bosna. Njëqind për qind po e paguan Kosova.

Deri sa Drejtoria e doganave deklaron se importet nga këto vende kanë rënë 99%, shitoret janë përplot me mallra serbe e boshnjake.

Kështu thonë qytetarët!

Ndërkaq ne gjithnjë e më shumë po e paguajmë taksën/tarifën e evazionit fiskal, korrupsionit, nepotizmit, punësimit partiak; po e paguajmë lobimin e njërit dhe tjetrit, kapjen e kompanive publike dhe agjencioneve të pavarura; po e paguajmë targën e abstenimit të prokurorisë dhe gjyqësisë ndaj shkeljeve dhe abuzimeve; targën e shkeljeve të Kushtetutës si pasojë e pazareve të koalicionit qeverisës për votat që i mungojnë për të qeverisur.

Në Kosovë, për më shumë se një vit, dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ka bërë që institucionet dhe opinion publik të mos merren me zhvillim ekonomik, punësim, arsim e problemet e shëndetësisë. Thua se ushqimi për popullatën tonë është dialogu, se arsim është dialogu e shëndet është dialogu me Serbinë?!

Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre.

Nëse dikush nga koalicioni qeverisë e do këtë vend, dhe nuk dyshoj se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetëveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha, dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje. Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje.

Dhe, vendim i drejtë i ndërkombëtarëve do të jetë të mos bëjnë presion për dialog, sepse as gjë e mirë, përpos ushqimit të popullizmit, nuk arrihet nën presion të tillë. /Lajmi.net/