Mustafa: Serbia dorështrënguar për shqiptarët e Luginës
Zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa shprehet kritik për buxhetin e ndarë nga Kosova, duke thënë se dy milionë euro kanë mbetur pa u shpenzuar nga viti i kaluar për çka sipas tij, përgjegjës është ekzekutivi vendor. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh) në intervistën për KosovaPress “mashtrim” e konsideron edhe ndarjen e mjeteve nga Shqipëria,…
Lajme
Zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa shprehet kritik për buxhetin e ndarë nga Kosova, duke thënë se dy milionë euro kanë mbetur pa u shpenzuar nga viti i kaluar për çka sipas tij, përgjegjës është ekzekutivi vendor.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh) në intervistën për KosovaPress “mashtrim” e konsideron edhe ndarjen e mjeteve nga Shqipëria, të cilat i konsideron të pamjaftueshme.
Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk janë zbatuar dy milionë eurot e ndara nga qeveria në vitin 2023, thotë Ragmi Mustafa.
“Në dy projekte, Ministria e Jashtme e Shqipërisë jep në njërin 15 mijë euro në tjetrin 15 mijë euro. Por kjo është shaka, kjo është ta marrësh një bonbone dhe tre fëmijëve t’iu ndash një të tretën – sa i vogël është. Por, ndoshta edhe 30 fëmijëve t’iu ndash nga një bonbone. A ka kuptim dhe logjikë kjo? Ky quhet mashtrim, kjo ka një emër”, shton Mustafa.
Zëvendëskryetari i Preshevës thekson se kjo komunë është në gjendje të rëndë ekonomike për shkak të qasjes diskriminuese të Serbisë.
“Duke parë si dorë e shtrënguar në aspektin financiar nga Republika e Serbisë, ne jemi gjithmonë në situata shumë të rënda ekonomike. Situata shumë të rënda të planifikimeve me karakter zhvillimor. Por, megjithatë pushteti i mëparshëm ka lidhur kontrata 1 milion euro, 700 mijë euro, 500 mijë euro, kontrata tjetër afër 1 milion euro dhe këto të cilat nuk e ki idenë se nga mund të vijnë mjete materiale”, tha ai.
Mustafa ka shprehur shqetësim edhe lidhur me gjendjen ekonomike të shqiptarëve të Luginës, duke përmendur faktin se 75 për qind e tyre janë të papunë.
“Mesatarja e papunësisë në Preshevë duke qenë mbi 97.5 për qind shqiptarë, 75 për qind e tyre janë të papunë që nënkupton pesë herë është e shprehur papunësia në Komunën e Preshevës në krahasim me mesataren në Serbi. Kjo bëhet me qëllime shumë të hapura, vetëm një i çmendur nuk do ta kuptonte. Kjo është me qëllimin e vetëm që të krijohen situata pasigurie për shqiptarët që të lëshojnë tokat e tyre autoktone. Njësoj siç i kanë lëshuar në Medvegjë. Mos të harrojmë se pasluftës në Kosovë, në Medvegjë kanë jetuar mbi 4 mijë shqiptarë, sot nuk jetojnë as 400 për qind e tyre”, deklaron ai.
Për shkak të papunësisë e mos njohjes së diplomave nga Kosova, shqiptarët e Luginës së Preshevës po migrojnë në masë të madhe. Ai thotë se duhet të merren masa për mbajtjen e shqiptarëve në vendbanimet e tyre.
“Nëpër shkolla fillore dhe të mesme në çdo klasë nuk ka më shumë se katër, pesë a gjashtë nxënës në një vendbanim që ka më shumë se 450 shtëpi banimi. 450 shtëpi banimi të kenë vetëm 4 nxënës, që do të thotë në një shtëpi ka një fëmijë të lindur? Nuk është e vërtetë. Ka fëmijë të lindur, por që nuk jetojnë në këto vendbanime dhe janë detyruar të ikin në vende tjera dhe ky është tmerri. Kjo është kambana që bie për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc se po zbrazemi, po boshatisemi dhe nuk po mbesim asgjëkund”, tha ai.
I ashpër shprehet edhe me ish-kryetarin Shqiprim Arifi, pushtetin e të cilit e quan “sharlatan”.
“Është e vërtetë se pas një pushteti, i cili them kushtim ishte sharlatan, kemi pasur dhe do të kemi probleme numerike sidomos në aspektin financiar. Komuna e Preshevës nuk e ka kapacitetin të lidhë kontrata milionëshe të shprehura në euro, sepse nuk ka një buxhet të tillë. Buxheti i Komunës së Preshevës është aq i vobektë sa që lejon të mbijetojë. Të paguhen pagat dhe të ardhurat personale të punëtorëve në administratë komunale, të punëtorëve në institucionet ku është themelues kuvendi komunal, të mirëmbajë deri në masën e konsiderueshme sa është e mundur pastërtinë, furnizimin me ujë të pijshëm, të mbajë shpenzimet për arsimin fillor në tetë shkolla fillore dhe dy të mesme dhe në çerdhet e fëmijëve”, shprehet ai.
Në qershor 2024, Presheva mbajti zgjedhje të parakohshme, duke qenë se për nëntë muaj nuk arriti të mblidhet asnjëherë kuvendi komunal. Kështu, u krijuan kushtet për shpërndarjen e kuvendit. Në krye të komunës është Ardita Sinani nga PVD-ja, ndërsa zëvendëskryetar Ragmi Mustafa nga PDSH-ja.