Mustafa: Qeveria shiti pronë shtetërore me nga 4 euro për metër katror, Prokuroria të nis hetimet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e pronës shtetërore dhe shpenzimin e parasë publike, duke kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet për shitjen e pronave shtetërore me çmime të ulëta. Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Mustafa ka ngritur shqetësimin edhe për rritjen e…

Lajme

22/10/2026 10:48

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e pronës shtetërore dhe shpenzimin e parasë publike, duke kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të nisë hetimet për shitjen e pronave shtetërore me çmime të ulëta.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Mustafa ka ngritur shqetësimin edhe për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore, veshmbathjeve dhe derivateve, duke thënë se familjet kosovare po përballen me vështirësi për t’i mbuluar shpenzimet mujore.

“Të gjithë jemi dëshmitarë për inflacionin e tmerrshëm të cilin e kemi përjetuar në këto vitet e fundit në Kosovë. 99 për qind të familjeve kosovare detyrohen që çdo muaj të bisedojnë rreth të hyrave familjare që nuk po i mbulojnë shpenzimet mujore”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se rritja e çmimeve vërehet në pothuajse çdo sektor të konsumit familjar, ndërsa ka kritikuar pushtetarët që, sipas tij, nuk përballen me të njëjtat shqetësime ekonomike si qytetarët, shkruan lajmi.net.

“Saherë që një familje në Kosovë del në market për të blerë ushqim, vëren që çmimet vetëm po rriten dhe nuk zbresin ato. Sa herë që një familje kosovare del për të blerë veshmbathje, vëren që çmimet vazhdimisht rriten dhe asnjëherë nuk zbriten”, ka thënë ai.

Mustafa ka drejtuar kritika edhe ndaj mënyrës së ndarjes së kontratave publike, duke rikujtuar çështjen e tenderëve njëburimorë, për të cilët ka thënë se janë shpenzuar qindra miliona euro pa zhvilluar procese konkurruese.

“Për vite të tëra këtu kemi ngritur çështjen e tenderëve njëburimorë apo tenderëve në katër sy, ku shpenzuan e u ndanë qindra miliona euro të buxhetit të shtetit në tenderë në katër sy, ku ministrat dhe përfaqësuesit e organeve shtetërore uleshin me shokët e tyre, me sponsorët e partisë, për të shpërndarë buxhet pa asnjë proces konkurrues”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.

Një pjesë të fjalimit të tij, Mustafa ia ka kushtuar edhe shitjes së pronave shtetërore, duke pretenduar se në vitin 2025 prona publike është shitur me çmim prej katër eurosh për metër katror.

“Tanimë kishin zbuluar një formë tjetër të dallaverit, Agjencinë e Privatizimit që e shndërruan në agjenci shtetërore për ta mbajtur pranë e për ta menaxhuar e kontrolluar tërësisht. Në vitin 2025 kishin shitur pronë shtetërore me nga 4 euro për metër katror”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se këto pretendime duhet të shqyrtohen nga institucionet përgjegjëse, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është menaxhuar pasuria publike, shkruan lajmi.net.

“Kjo parti erdhi në pushtet duke aluduar se ky shtet ishte vjedhur dhe rrjepur. Kjo Qeveri, përmes agjencisë qeveritare, ka falur ndërtesa të shtetit 1.000 metra katrorë për 4 mijë euro”, ka deklaruar ai.

Mustafa u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe ata të pushtetit që janë anëtarë të komisioneve parlamentare, që të tregojnë më shumë kujdes gjatë shqyrtimit të raporteve të institucioneve shtetërore.

“Prandaj, kam një lutje për ne si deputetë, përfshirë edhe ata të pushtetit që janë anëtarë në komisione, të jenë më vigjilentë në punën që raporton pushteti në ato komisione. Në emrin tuaj janë fituar këto vota dhe pushteti po vazhdon dallaveret duke falur për 4 euro pronën e shtetit”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Në fund të fjalimit, Mustafa u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë pretendimet e ngritura për shitjen e pronave shtetërore.

“Lus prokurorët e Kosovës të fillojnë hetimet për këto raste”, ka përfunduar Mustafa. /Lajmi.net/