Mustafa: Qeveria do ta trajtojë çmimin e energjisë elektrike
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të angazhohet sa i përket çështjes së tarifave të energjisë elektrike.

Lajme
Mustafa gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, gjatë diskutimit të peticionit të qytetarëve për çmimin e energjisë elektrike, ka thënë se struktura tarifore ka nevojë të trajtohet.
Kryeministri po ashtu ka thënë se duhet kontrolluar se a do të respektohet zotimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, se këtë vit nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
“Unë konsideroj që në duhet të angazhohemi edhe qeveria përmes ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, komisioni parlamentar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, duhet të shikohet struktura e çmimit, çfarë është çmimi i prodhuesit dhe çfarë duhet të jetë çmimi që duhet ta paguajnë shfrytëzuesit e energjisë elektrike”.
“Ka nevojë që të trajtohet edhe struktura tarifore. Unë do të angazhohem që edhe qeveria të trajtojë këtë dhe ti japim përgjigje qytetarëve. Zotimi është se këtë vit nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë, por ne duhet të kemi një kontroll edhe nga ana e parlamentit”, ka thënë Mustafa.
Ai ka përmendur se duhet të bëhen ndryshime dhe në ligj.