Mustafa: Programet e partnereve të PDK-së, të rrezikshme për shtetin

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa koalicionin e PDK-së me disa parti të tjera e ka quajtur jo parimor dhe ka vlerësuar se programet e tyre janë programe mashtruese e të rrezikshme për shtetin. Ai ka thënë se qytetarët për këto 3 vite janë trajtuar si makinë votash.

Lajme

17/05/2014 14:36

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se qytetarët e Kosovës,  për këto tre vite janë trajtuar si makinë votash nga Qeveria Thaçi. Ai  duke komentuar koalicionet që ka bërë PDK-ja, në rrjetin social Facebook, ka shkrua se këto janë koalicione jo parimore dhe me programe mashtruese e të rrezikshme për shtetin.

Mustafa ka thënë se LDK nuk është frikësuar prandaj nuk ka bërë koalicion me askënd. Ai është shprehur i bindur në fitore me 8 qershor.

“Ne nuk jemi frikësuar, prandaj nuk kemi pasur nevojë të dalim nga lëkura jonë, për të kërkuar shpëtim përmes aleancash joparimore, të pabazuara në orientime programore dhe në përpjekje për të kamufluar të kaluarën”.

“Ne kemi përballë një kamp rival të ndërtuar jo mbi parime dhe për interesa të qytetarit e të shtetit, por mbi interesa kryekëput personale. Qytetari i Kosovës këtë e di, sepse e ka provuar sidomos këto tre vitet e fundit”.

“Të trajtohet si makineri votash, të cilat janë keqpërdorur edhe si vota, por edhe si vullnet, krejtësisht për interesat e një grupi njerëzish, të cilët kanë zhvatur taksat dhe pasurinë e qytetarëve e të shtetit tonë, duke i lënë qytetarët pa punë e pa perspektivë, në shtetin më të varfër, me shkallën më të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, rrjedhimisht qytetarët më të izoluar në kontinent”.

“Lista e LDK-së përfaqëson më mirë se të gjitha listat e partive tjera interesat e qytetarëve të Kosovës, të të gjitha shtresave shoqërore, pa dallime krahinore e fetare. Lista e LDK përfaqëson më mirë se secila listë tjetër strukturën demografike dhe gjinore të Kosovës. Lista jonë përfaqëson vlerat e familjes dhe të traditës së Kosovës dhe të shqiptarëve”.

“Me mbështetjen tuaj të fortë për LDK-në më 8 qershor, Ju do të përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sundim të rendit e ligjit në Republikën tonë të re”, ka shkruar ndër të tjera Isa Mustafa, në profilin e tij në Facebook.