Mustafa përkujton viktimat e Holokaustit
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit, ka përkujtuar viktimat e krimeve naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, të kryera ndaj hebrenjve dhe popujve të tjerë.

Lajme
Në një njoftim të Qeverisë thuhet se, në këtë ditë memoriale ndërkombëtare, kryeministri Mustafa ka shprehur solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me hebrenjtë dhe të gjitha viktimat e Holokaustit, transmeton lajmi.net.
“Populli i Kosovës, i cili është përballur para pak vitesh me krime çnjerëzore, bashkëndjen dhe krenohet me forcën dhe virtytet e hebrenjve, të cilët përkundër ballafaqimit me krimet më të rënda në historinë botërore, janë sot simbol i faljes dhe pajtimit, duke mos harrur të kaluarën, por duke kontribuuar për të ardhmen e botës demokratike”, thotë kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se qytetarët e Kosovës ndihen mirë që kanë ofruar përkrahje për hebrenjtë në atë periudhë të rëndë, duke shtuar se komuniteti hebraik është edhe sot pjesë e rëndësishme e shoqërisë kosovare.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për kontributin e madh, veçanërisht të diasporës hebraike në SHBA dhe në Evropë, për çlirimin e Kosovës dhe për fazat e mëtejshme të ndërtimit të shtetit, thuhet në kumtesë.