Mustafa: Pas 1 dhjetorit u ndjeva i “pa strehë”

Ish-kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, sot ka dhënë dorëheqje nga kryesia e degës së PDK-së në Gjilan. Shumë arsye e kanë shtyrë Mustafën që të heq dorë nga kjo pozitë, njëra ishte që ai s’është ndihmuar pas një dhjetorit.

Lajme

03/04/2014 22:36

Data 1 dhjetor e vitit të kaluar, si duket ka qenë shumë e kobshme për ish – kryetarin Mustafa. Nga atëherë, atë nisën ta lënë anash. Kështu thotë për KosovaPress, Qemajl Mustafa, i cili thotë se partia të cilës i takon ai, nuk i ndihmoj fare pas humbjes së 1 dhjetorit.

“Partia nuk po sillet si një familje e mirë e cila i jep mundësi, e shpërblen dhe e ndihmon por edhe mbron anëtarin e saj”.

“Asnjëherë nuk jam ndier më i anashkaluar dhe pa “strehë” se sa prej një dhjetorit të vitit 2013 kur përfundimisht i humbëm zgjedhjet në Gjilan”, është njëra ndër arsyet e Qemajl Mustafës që ai ka dhënë për largimin e tij.

Mustafa thotë se që nga ajo datë, as nga kryesia e Gjilanit por as nga ajo e qendrës së PDK-së, nuk e kishin kontaktuar për asgjë.

E kur flet për humbjen e tij të fundit, Mustafa e ndjen veten fajtor, por fajëson të tjerët që nuk i kishin lënë mundësi ti arsyetohej degës kryesore apo edhe të bëjë analizë rreth humbjes së tij.

Thotë se analizën e tij, e penguan qëllimshëm disa individë të caktuar edhe pse kjo përgjegjësi ishte kërkuar nga ai dhe kryetari i degës, Izmi Zeka. Fajet ja hedhë edhe këtij të fundit për të cilin thotë se po heshtë për kohë të gjatë dhe nuk po e bënë punën e vet as në dhënien e llogarisë po as në udhëheqjen si duhet të degës.

Një tjetër arsye e Mustafës është edhe krijimi i hapësirës për energji të reja, të cilët sipas tij janë të shumta, por sipas tij ka edhe nga ata që nuk e kanë ndjerë veten komod me prezencën e Mustafës.

“Për t’i liruar nga hendikepët disa nga anëtarët e kësaj kryesie të cilët nuk e ndjenin vetën komod me prezencën time dhe të ndonjë tjetri në kryesi pasi që ne ishim degë plotësisht e polarizuar që nga zgjedhjet e fundit në parti”, ka thënë Mustafa për KosovaPress.

E po ashtu Mustafa thotë se njëra ndër arsyet që ai është larguar, ka të bëjë edhe me lëshimin e rrugëve që t’i mundësojë partisë të hartojë planin për rikonsolidim të degës së PDK-së në Gjilan, duke e ndjerë vetën si bllokim të partisë.

(KosovaPress)