Mustafa: Nuk ka arsye pë diskriminim të Junikut

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Komunës së Junikut, se kjo komunë është diskriminuar me rastin e ndarjes së buxhetit për vitin 2016.

Lajme

27/09/2015 15:49

Mustafa ka thënë se Qeveria zbaton kritere të njëjta për të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët dhe nuk ka asnjë arsye që një komunë të ndihet e diskriminuar.

Ai është zotuar se nëse del që rregulla nuk është zbatuar si duhet, do të zbatohet, ndërsa ata që nuk e kanë zbatuar do të japin llogari.

Mustafa ka thënë se nuk mund të ketë dallime të tilla të granti i përgjithshëm për kokë banori ndërmjet komunave, edhe përkundër zbatimit edhe të kritereve të tjera.

Kryeministri është zotuar se departamenti i buxhetit të komunave do të japë shpjegim konkret lidhur me zbatimin e kritereve.

Para Mustafës, ka reaguar ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Juniku ka marrë para aq sa i takojnë.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Junikut ka drejtuar akuza drejt Qeverisë Mustafa duke thënë se kjo e fundit po e diskriminon financiarisht komunën e tij.