Mustafa: Nuk e pranojmë pazarin me ulëset e rezervuara për FAK-un

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëjë “pazar” për themelimin e Forcave të Armatosura. Ai ka thënë se LDK konsideron se duhet të aprovohen ndryshimet kushtetuese lidhur me FAK-un, porse “asnjëherë” nuk do të pajtohen, që formimi i tyre të lidhet me vendet e rezervuara për pakicat.

Lajme

28/04/2014 17:30

Në një intervistë për Evropa e Lirë, Mustafa ka thënë se vendet e rezervuara janë konsumuar dhe çdo shkuarje më tutje do të thoshte “Ahtisari Plus”.

“Sa u përket Forcave të Armatosura të Kosovës ne konsiderojmë se duhet të aprovohet ndryshimi i Kushtetutës dhe Ligji lidhur me këto Forca. Ato janë në interes të vendit. Mirëpo konsiderojmë po ashtu se nuk ka asnjë arsye që të bëhet tani kompromis, përkatësisht të bëhen pazare lidhur me Forcat e Armatosura të Kosovës”.

“Ne këtë e konsiderojmë si çështje të ndarë. Ne do të votojmë gjithherë për themelimin e Forcave të Armatosura në Kuvend, por asnjëherë nuk do të pajtohemi që formimi i tyre të ndërlidhet me vendet e rezervuara”.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe konsiderojmë se vendet e rezervuara janë konsumuar dhe se komunitetet i kanë shfrytëzuar këto vende sipas Kushtetutës, sipas Pakos së Ahtisaarit dhe çdo shkuarje më tutje me to do të ishte ‘Ahtisaari Plus’ gjë që do ta relativizonte krejtësisht Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Mustafa mendon se partitë minoritare nuk kanë asnjë arsye që të kushtëzojnë për formimin e FAK-ut. Ai thotë se nuk është gjë e mirë që çështjet të çohen përpara me kërcënime.

“Mendoj se minoritetet nuk kanë asnjë arsye që të kushtëzojnë. Ato i kanë të drejtat shumë të mëdha, kanë një diskriminim shumë të madh pozitiv dhe tani me vendet e garantuara ato kanë tri herë më shumë vende në Kuvend sesa që do t’u takonin në bazë të numrit të popullsisë ose pjesëmarrjes që ato kanë në popullsi”.

“Nuk kanë asnjë arsye që të kushtëzojnë edhe më tutje sepse pastaj neve puna e kushtëzimeve do të na bëhej shprehi dhe njëherë bëhet një kushtëzim për Forcat e Armatosura e më pastaj mund të vijë një kushtëzim tjetër dhe ne nuk do të mund të funksiononim si Kuvend i Republikës së Kosovës nëse çdo herë ballafaqohemi me trysninë e kërcënimeve”.

“Forcat e Armatosura nuk janë vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe se ato u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe aq sa ne i marrim si të dëshirueshme, duhet t’i marrin si të tilla edhe të gjitha komunitetet tjera”.

Duke folur për opsionet e tjera që do të mund të çonin vendin drejt zgjedhjeve, Isa Mustafa ka thënë se opsioni më i mirë është që të shpërndahet Kuvendi. Ai mendon se është “vonë” që përmes një mocioni mosbesimi të shkarkohet Qeveria, por nëse nuk mbetet zgjedhje tjetër, ai thotë se opozita duhet të bashkohet që të rrëzojë Qeverinë.

“Plani më i mirë do të ishte të mblidhen 80 vota dhe të shpërndahet Kuvendi. Disave kjo nuk u pëlqen se sa  kërkojnë që Kuvendi të mos shpërndahet por të shkarkohet Qeveria me anë të mocionit. Por, unë mendoj se tanimë është vonë që ne ta sanksionojmë këtë shkarkim të qeverisë, sepse nuk e kemi bërë më parë”.

“Edhe pse duhet pranuar se si opozitë nuk i kemi pasur votat e mjaftueshme, sepse nuk do ta lenim pa e bërë, pra pa e shkarkuar qeverinë. Por, në rast të fundit, nëse nuk kalon shpërbërja e Kuvendit, ne do të provonim edhe si opozitë që opozita të bashkohet dhe të provoj ta rrëzoj qeverinë, pavarësisht se kush do ta merr iniciativën”, ka thënë Musafa.