Mustafa: Mogherini hoqi çdo dilemë, ta bëjmë hapin historik dhe kosovarët të lëvizin pa viza

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke komentuar deklaratat e Mogherinit ka thënë se ratifikimi i demarkacionit do t’i liberalizonte vizat për qyetarët e Kosovës.

Lajme

04/03/2017 20:16

Ai ka shkruar në facebook, se është koha e fundit që partitë t’i lënë anash interesat politike, dhe sipas tij të bëjnë hap historik përpara, transmeton lajmi.net

“Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, hoqi çdo dilemë dhe na garantoi se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës. Andaj, është koha e fundit t’i lemë anash interesat partiake dhe të bëjmë një hap të përbashkët historik përpara”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Lexo postimin e plotë:

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, hoqi çdo dilemë dhe na garantoi se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend liberalizon vizat për qytetarët e Kosovës.

Znj. Mogherini, po ashtu, e sqaroi që kemi bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe se ky kriter tashmë është përmbushur.

Andaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë në dorë fatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në BE.

120 deputetët e zgjedhur me votën tonë duhet të vendosin se a do t’i marrin parasysh interesat e qytetarëve të Kosovës, a do t’i marrin parasysh garancitë e plota të SHBA-ve se shënjimi i kufirit është bërë si duhet, konfirmimet e mëpasme të komisioneve të ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, apelet e BE-së e vendeve mike… apo do të zhytemi më tej në batakun e akuzave e kundër akuzave politike, duke izoluar bashkëvendasit tanë, studentët, familjet, pacientët…

Andaj, është koha e fundit t’i lemë anash interesat partiake dhe të bëjmë një hap të përbashkët historik përpara.