Mustafa: Kosovën nga kriza mund ta nxjerrin vetëm ata që e kanë futur – ata që kanë ndjekur interesat e veta, si Osmani dhe i janë bashkuar VV-së

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe mandatarin e propozuar nga Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Glauk Konjufcën. Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa ka theksuar se përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës aktuale e mban partia që e ka shkaktuar…

Lajme

05/11/2025 13:09

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe mandatarin e propozuar nga Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Glauk Konjufcën.

Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa ka theksuar se përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës aktuale e mban partia që e ka shkaktuar atë – Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e fundit.

“Kosovën nga kjo krizë mund ta nxjerrin vetëm ata që e kanë futur në të, pra partia që doli e para në zgjedhje,” ka deklaruar Mustafa.

Ai ka kritikuar ashpër edhe presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ajo ka vepruar duke ndjekur interesa personale kur iu bashkua VV-së, gjë që sipas tij i ka sjellë dëm vendit.

“Tani po shihet qartë se ata që kanë ndjekur interesat e veta – si Vjosa Osmani – dhe i janë bashkuar VV-së, nuk i kanë bërë mirë Kosovës dhe as jetës politike. Ata siguruan pozita për vete, por e çuan vendin në izolim dhe nën sanksione nga BE-ja dhe SHBA-të. Për pasojë, po përjetojmë emigrimin më të madh dhe rënie të popullsisë,” tha ai.

Mustafa u ndal edhe te qëndrimet e partive tjera parlamentare, duke thënë se deklaratat e tyre për mosvotimin e një qeverie të re nga VV-ja janë të pritshme, por se zgjidhja nuk duhet kërkuar në marrëveshje të brendshme politike, por në vullnetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve.

Sipas tij, dalja nga kriza duhet të fillojë me zgjedhje të reja dhe me “këndelljen” e qytetarëve dhe partive politike për të vënë në plan të parë interesin shtetëror.

“Fillimi i daljes nga kjo krizë janë zgjedhjet e reja dhe vetëdijesimi i qytetarëve dhe i partive politike për interesat jetike të vendit. Partitë duhet të dalin me oferta të qarta dhe të guximshme për sfidat që po kalon Kosova. Nuk mjaftojnë më vetëlavdërimet dhe kompleksi që ua ka mbjellë Kurti se janë më të mirët dhe më të bashkuarit,” përfundoi Mustafa./lajmi.net/