Mustafa kërkon nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat
Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka marrë pjesë sot në Samitin e Triestes së bashku me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lajme
Në këtë Samit, Mustafa ka theksuar përkushtimin e Kosovës për rrugën integruese evropiane.
“Theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Lexo postimin e plotë:
Të nderuar miq,
Mora pjesë sot në Samitin Triestes, ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin qendror ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja Gjermane, Angela Merkel, presidenti i Frances, Emmanuel Macron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete të tjera, theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën integruese evropiane si dhe i njoftova për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e proceseve në Kosovë.
Njëkohësisht, theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera.
Nënshkruam edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj./Lajmi.net/