Mustafa kërkon nga Mogherini finalizimin e liberalizimit të vizave dhe MSA-së
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në New York, po flet për të arriturat e Kosovës si dhe avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, dhe njëherësh ka kërkuar finalizimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajme
Ai gjatë këtij qëndrimit në New York, u takua me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e mëtejshëm të reformave.
“Kërkuam që të kemi gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të nënshkruhet sa më shpejt Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe po ashtu të hapet mundësia e liberalizimit të vizave. Ne do t’i përmbushim edhe 5-6 çështje që kanë mbetur dhe kemi bindjen se të gjitha kushtet teknike i përmbushim dhe se mbetet vetëm marrja e vendimit politik”, thuhet në komunikatë, raporton lajmi.net.
Kryeministri Mustafa, ka shprehur bindjen se përgjigja pozitive nga Bashkimi Evropian për këto dy çështje, nuk do të vonohet.
Ai e falënderoi përfaqësuesen e lartë të BE-së Mogherini për përkrahjen e saj për proceset në Kosovë.
Ndërsa, kjo e fundit vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahje për rrugën integruese evropiane të Kosovës.
Një ditë më parë, kryeministri Isa Mustafa u takua edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili po ashtu shprehu përkrahje për rrugën integruese evropiane të Kosovës.