Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Pecit, Pacollit dhe të nisin hetimet për skandalin e 100 mijë eurove

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe që ndaj tij të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti…

Lajme

17/11/2024 13:35

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe që ndaj tij të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.

 Mustafa ka thënë se zbulimi i skandalit të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllai i deputetes së Lëvizjës Vetëvendosje Fitore Pacolli, përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

 “Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga insititucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.

 Tutje Mustafa ka thënë se pas zbulimit të këtij skandali, ministri Faton Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së Kryetares së këtij Komisioni Fitore Pacolli, tashmë kjo e fundit nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim ministrin Peci, për shkak të rrethanave të konfliktit të interesit.

 “Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë.  Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, ka thënë Mustafa.

 Sipas Mustafës skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.

 Më tej, anëtari i Kryesisë së PDK-së ka folur edhe për ngutinë e aprovimit të buxhetit të vitit 2025, pa i dhënë deputetëve kohën e paraparë për të propozuar amandamentet e tyre. 

“Tash po krijohet dyshimi i bazuar se në buxhetin 2025 kanë kurdisur përfitime të tilla për njerëzit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për ta zbatuar buxhetin e ardhshëm”, ka thënë ai.

 Ndërkaq në fund Mustafa tha  se tani kur na ndajnë edhe pak muaj nga zgjedhjet, ky pushtet edhe mund ti ikë përgjegjësisë për të dhënë llogari në Kuvendin e Kosovës, por nuk mund ti ikë llogaridhënies para qytetarëve më 9 shkurt, kur edhe do të marrin verdiktin e merituar për këto abuzime të njëpasnjëshme. /Lajmi.net/