Mustafa garanton: Trepça s’do të jetë temë diskutimi me askënd

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës. Mustafa në këtë ngjarje ka siguruar minatorët e Trepçës, se ajo do të mbetën e në pronësi të shtetit të Kosovës dhe, se ajo nuk do të jetë objekt i asnjë diskutimi.

Lajme

20/02/2016 15:51

Ai po ashtu minatorëve të pranishëm u ka thënë se, gjatë këtij viti, do të përfundohet Ligji dhe Strategjia për Trepçën, të cilat do të sigurojnë perspektivë për këtë kombinat e ndërmarrje.

“Ajo që unë dëshiroj t’ju them, duke ju falënderuar që më thirrët që t’ju përshëndes është të ju garantoj që Trepça është e Kosovës, do të mbetet e Kosovës, s’do të jetë objekt i asnjë diskutimi për të, se Trepça është e juaja, e minatorëve dhe ju minatorët jeni të Kosovës. Dhe po ashtu, ju siguroj se gjatë këtij viti, ashtu siç jemi marrë vesh me drejtorin e juaj, profesor Tmavën, me sindikatën e juaj dhe me përfaqësuesit tuaj, ne do ta përfundojmë Ligjin për Trepçën, do ta përfundojmë Strategjinë për Trepçën dhe do ta sigurojmë perspektivën e Trepçës. Këtë ju garantoj, kjo është punë që do të përfundojë, do ta përshpejtojmë sa më shumë”.

“ E kemi përkrahjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, një numër që po i shoh që edhe sot janë këtu. Shpresoj që do ta kemi përkrahjen edhe të deputetëve të opozitës, sepse Trepça nuk është ajo që duhet të na ndajë, por duhet të jemi të gjithë bashkë pozitë dhe opozitë. Kemi çështje për të cilat ne kemi nevojë të jemi bashkë por ka çështje në të cilat mund të kemi edhe mendime edhe divergjenca, sepse ato e krijojnë demokracinë”, tha kryeministri Mustafa, duke përshëndetur minatorët e të gjitha gjeneratave, të cilët edhe sot po punojnë dhe po japin vizionin dhe propozimet e tyre për mënyrën më të mirë se si të zgjidhet çështja e Trepçës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se zgjidhja nuk është e vetëm një pale, por se do të jetë e minatorëve, e ekspertëve të Trepçës, e njerëzve që kanë punuar në Trepçë dhe se Qeveria do ta respektojë atë deri në pikën e fundit.