Mustafa: Fushata linçuese ndaj personaliteteve të mediave, e papranueshme

Kryeministri Isa Mustafa shprehet i shqetësuar për degradimin e debatit publik të shkaktuar nga raportimet e mediave për dyshimet për ekqpërdorime me importin e grurit në Kosovë si dhe për cilësinë e tij.

Lajme

02/03/2015 21:19

Përmes një reagimi në Facebook, kryeministri Mustafa fton të gjitha palët të veprojnë konform ligjeve dhe thotë se është e papranueshme fushata linçuese ndaj personaliteteve të mediave.

Gjatë ditës mediat kanë raportuar për disa posterë të vendosur nëpër qytet të Kosovës, ku fyhet gazetari Berat Buzhala.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të kryeministrit Mustafa:

Jam duke e ndjekur me shqetësim degradimin e debatit publik të shkaktuar nga raportimet mediale lidhur me dyshimet për keqpërdorime në importin e grurit në Kosovë dhe për cilësinë e tij.

Si kryeministër i Kosovës, u bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira, të veprojnë konform ligjeve dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe përgjegjësive kushtetuese.

Është e papranueshme çdo fushatë linçuese ndaj personaliteteve të mediave tona. Sulme të tilla ndaj mediave nuk duhet të ndodhin. Ofendimet në asnjë rast nuk janë mënyrë e ofrimit dhe argumentimit të së vërtetës para qytetarëve.

Kërkohet, po ashtu, që gjatë kryerjes së misionit të tyre, mediat të kujdesen për të respektuar standardet më të mira profesionale si dhe Ligjet e Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mediat mbesin faktor i rëndësishëm për përmirësimin e qeverisjes dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.