Mustafa: Fondamenti rugovist i LDK-së nuk mund të zëvendësohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populiste

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së, duke thënë se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementar demokratik brenda kësaj partie.

Lajme

09/06/2020 11:50

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa thotë se “nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohen me protagonizëm individual disa ego dhe sjellje populiste”.

“Ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje popullsitë”, shkruan Mustafa në Facebook.

Kreu i LDK-së thotë se në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe Kryeministrit Hoti.

“U theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen. Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në digasteret qeveritare. Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së”, thotë Mustafa. /Lajmi.net/