Mustafa: Demarkacioni nuk dëmton marrëdhëniet fqinjësore me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha. Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, njofton Kryeministria.

Lajme

21/11/2016 18:19

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, foli për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

“Relacionet ndërfqinjësore të Republikës së Kosovës me Malin e Zi janë model për rajonin dhe më gjerë. Zhvillimet e ndryshme brenda dy vendeve nuk i dëmtojnë marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, pasi që dy popujt dhe institucionet tona kanë vullnet të plotë për thellimin e bashkëpunimit mes tyre”, tha kryeministri Mustafa.

Ambasadori Ferhat Dinosha, pasi e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, shprehu përkushtimin e Malit të Zi për thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe të shkëmbimeve me Kosovën, thuhet në njoftim.

“Ambasadori Dinosha, po ashtu, theksoi angazhimin e tij gjatë misionit në Kosovë, për zgjerimin e bashkëpunimit konkret ndërmjet dy vendeve. Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe për adresimin e çështjeve në interes të përbashkët”, thekson njoftimi i Kryeministrisë.