Mustafa beson se do të arrihet koalicioni qeverisës PDK-LDK
Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës shprehen të bindur se mandatari për Qeverinë e ardhshme do të jetë kreu i partisë, Hashim Thaçi.
Lajme
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Rrustem Mustafa, i cili njihet për afërsinë me LDK-në, ka thënë se pas përmbylljes së procesit zgjedhor do të bisedohet me të gjitha partitë opozitare, por ai favorizon LDK-në për koalicion. Marrëveshjen e opozitës për ta bërë qeverinë, e quan të pamatur.
Rrustem Mustafa është njëri prej anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, i cili edhe në mandatin e kaluar ka kërkuar që të ketë një koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.
Ai ka thënë se nuk ka filluar ende kontaktet me zyrtarët e LDK-së, por se do të pres certifikimin e rezultateve për të filluar bisedat e mundshme për koalicionin qeveritar.
“Unë jam nga ata që kam afërsi me zyrtarët e LDK-së, por edhe të gjitha partive, por unë respektoj normat ligjore që me të cilat udhëhiqet vendi. Do të presim afatin dhe pastaj do të hyjmë në këtë punë”, ka thënë Mustafa, raporton RTK.
Mustafa shprehet i bindur se mandatare për formimin e Qeverisë do të jetë PDK-ja, ndërsa për partner të koalicionit preferon LDK-në.
“Ne do të bisedojmë me të gjitha partitë opozitare edhe me LDK-në edhe më të tjerat dhe ne do të vijmë deri te një përfundim. Unë besoj se stabiliteti, koha dhe vendi e do që PDK-ja dhe LDK-ja të bëjnë qeverinë e ardhshme”, ka thënë Mustafa.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, veprimin e partive opozitare e quan të pamatur dhe të parakohshëm.
Ai ka thënë se duhet ta dijë secili lider dhe secila parti se Kosova ka Kushtetutë dhe ligje dhe se nuk do të lejohet suspendimi i rregullave të shoqërisë, as rregullave kushtetuese as rregullave morale.