Mustafa: Amerika s’e lëshon Kosovën sepse e duan qytetarët

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, reagoi pas raportimit se është iniciuar një peticion për largimin ambasadorit amerikan, Greg Delawie nga Kosova.

Lajme

20/02/2016 16:45

 

Me një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Mustafa tha se edhe ai ka disa raste ku do të vlerësonte se disa deklarata të njerëzve të VV-së,  janë krejtësisht të pavend e absurde.

Por Mustafa deklaroi se është i “shqetësuar” për peticionistët. Megjithëkëtë, ia shkruan se  Amerika nuk e lëshon Kosovën pasi atë e duan qytetarët.

Ja postimi i plotë i tij:

Po i përcjell disa deklarata të njerëzve të përgjegjshëm dhe mospajtimet e tyre me një peticion të pa kuptimtë të iniciuar, sipas disa mediave, nga një terrorist, kundër Ambasadorit të SHBA Delawie.
Edhe unë do të gjeja njëmijë arsye të them se disa deklarata të njerëzve të VV janë krejtësisht të pavend, janë absurde, janë të pavlerë dhe nuk kanë asnjë peshë. Sepse peshë të errët ka dhuna që VV po ushtron.  Por kësaj radhe jam i “shqetësuar” për peticionistët.

Sepse sipas tyre dikush duhet ta “lëshoj Kosovën”. Amerika nuk e lëshon sepse pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës e duan Amerikën. Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po lenë burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist ,mos po turren kah lindja. Sidoqoftë unë i dua më shumë SHBA-të. /lajmi.net