Musliu për tenderin e gomave dimërore në MPB: Qysh do t’ia dalë Policia e Kosovës nëse pasnesër bie borë?
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me anulimin e tenderit për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore për automjetet e Policisë së Kosovës, si dhe hapjen e një procedure të re me procedurë emergjente. Ministri Sveçla ka bërë të ditur se tenderi trevjeçar, me…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me anulimin e tenderit për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore për automjetet e Policisë së Kosovës, si dhe hapjen e një procedure të re me procedurë emergjente.
Ministri Sveçla ka bërë të ditur se tenderi trevjeçar, me vlerë të planifikuar prej 400 mijë eurosh, është anuluar pasi asnjëri nga tre ofertuesit nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara. Sipas tij, dy ofertues nuk i kanë plotësuar kriteret administrative, ndërsa oferta e tretë kishte çmime shumë të larta.
“Qysh do t’ia dalin Policia e Kosovës nëse pasnesër bie borë? Qysh kanë me arritë ata deri te një thirrje e qytetarëve për ndërhyrje të policisë?”, ka deklaruar Musliu.
Sveçla ka deklaruar se Policia e Kosovës aktualisht ka në depot e saj goma për 73 për qind të automjeteve, ndërsa nevojat për furnizim shtesë janë për 27 për qind të automjeteve.
Ai ka bërë të ditur se për mbulimin e këtyre nevojave është zhvilluar një procedurë e prokurimit emergjent, në bazë të nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, me vlerë të planifikuar prej 81 mijë e 510 eurosh dhe afat gjashtëmujor.
Sipas ministrit, kjo procedurë ka përfunduar me kontraktimin e ofertuesit të përgjegjshëm me çmimin më të ulët, në vlerë prej 74 mijë e 424 eurosh, ndërsa afati i dorëzimit të gomave është 30 ditë kalendarike.
Në replikën e saj, deputetja Ganimete Musliu ka vënë në pikëpyetje arsyetimin e ministrit për përdorimin e procedurës emergjente, duke theksuar se vetë ministri ka deklaruar se Policia ka rezerva për 73 për qind të automjeteve.
Musliu ka kërkuar nga Sveçla të shpjegojë se ku qëndron emergjenca për një procedurë të tillë, kur sipas deklarimeve të tij ekzistojnë rezerva të konsiderueshme të gomave.
“E the edhe vetë që tenderi ka qenë i hapur me specifika emergjente. Në anën tjetër, po thua që keni mbi 70 për qind rezerva. Tenderi është anuluar dhe pastaj me procedurë ekstraemergjente e keni hapur një tender tjetër. A mund t’ua shpjegoni edhe qytetarëve të Kosovës ku është emergjenca? Kur ju keni pasur rezerva dhe nuk e keni zhvilluar procedurën e rregullt, në mënyrë që sot të mos anulohej ai tender, ku është emergjenca kur keni sasi të mjaftueshme?”, ka pyetur Musliu.
Ajo ka kërkuar nga ministri të sqarojë dallimin ndërmjet procedurës emergjente dhe asaj ekstra emergjente, duke vënë në pah mospërputhjen që, sipas saj, ekziston ndërmjet rezervave të deklaruara dhe arsyetimit për përdorimin e procedurës së jashtëzakonshme të prokurimit. /Lajmi.net/