Musliu për protestat në Prishtinë: Shpirti liridashës i Kosovës po zgjohet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e të rinjve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu ka thënë se prej tri ditësh po i pëlqen veçanërisht pamja e sheshit, ndërsa ka theksuar se ndihet e…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e të rinjve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu ka thënë se prej tri ditësh po i pëlqen veçanërisht pamja e sheshit, ndërsa ka theksuar se ndihet e emocionuar kur sheh rininë e Kosovës aty, transmeton lajmi.net.
Ajo ka deklaruar se, ndonëse dikur pretendohej se të rinjtë nuk e njohin luftën, nuk u intereson e kaluara dhe nuk e duan historinë, pamjet e ditëve të fundit, sipas saj, dëshmojnë të kundërtën.
Musliu e ka lidhur këtë me atë që e cilëson si “zgjim” të shpirtit liridashës të Kosovës.
Ajo ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, duke thënë se ata po zhvillojnë “dy beteja” njëkohësisht.
“Thaçi me shokë po i bëjnë dy beteja njëkohësisht. Njërën për ta mbrojtur të drejtën tonë për liri, e tjetrën për ta zgjuar një popull që ishte futur në një letargji të rrezikshme”, ka shkruar Musliu.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar se rinia e Kosovës po dëshmon se nuk është indiferente dhe se nuk dëshiron t’ia lërë dikujt tjetër fatin dhe të ardhmen e saj.
“Kosova ka shpirt! Kosova ka rini! Dhe shpirti liridashës i Kosovës nuk vdes kurrë! Rroftë Kosova e lirë! Rroftë UÇK-ja! Liri për Çlirimtarët!”, ka shkruar Musliu./lajmi.net/