Musliu kërkon protestë në Kosovë e Bruksel kundër Speciales: Sido që të jetë epilogu, Thaçi me shokë ishin, janë dhe do të mbeten çlirimtarë

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka dal me një reagim para vendimit të Speciales, transmeton lajmi.net Musliu ka kërkuar protestë…

Lajme

16/07/2025 09:48

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka dal me një reagim para vendimit të Speciales, transmeton lajmi.net

Musliu ka kërkuar protestë në Kosovë e Bruksel kundër Gjykatës Speciale.

“Përgjigja jonë duhet të jetë protesta të pandalshme popullore në Kosovë dhe në Bruksel. Çdo qasje tjetër është hipokrizi dhe na bënë bashke akuzues: Mos na e mbyllni gojën me parullat: “Rrini urtë se i dëmtojmë!” apo “Heshtni se kuptohet si ndërhyrje në drejtësi!”, shkroi Musliu.

Postimi i plotë:

Përgjigja jonë duhet të jetë protesta të pandalshme popullore në Kosovë dhe në Bruksel
Çdo qasje tjetër është hipokrizi dhe na bënë bashke akuzues: Mos na e mbyllni gojën me parullat: “Rrini urtë se i dëmtojmë!” apo “Heshtni se kuptohet si ndërhyrje në drejtësi!”
Kjo qasje është hipokrizi e pastër dhe çon ujë vetëm në mullirin e kundërshtarëve të djemve të UÇK-së.
Që nga dita e parë, Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka deklaruar qartë se objektivi i saj kryesor është të vazhdojë proceset e UNMIK-ut dhe EULEX-it për të përndjekur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk mund të fshihet nga memoria historike lobimi në favor të krijimit të një opinion se gjoja jemi në një situatë pa rrugëdalje, kur rrugëdalja ishte para syve tanë.
Fakti i patjetërsueshëm ishte se Kosova nuk mbante asnjë përgjegjësi për shndërrimin e një rezolute politike të Këshillit të Evropës, bazuar në një raport fiktiv të financuar nga shteti serb, në një lak për historinë dhe luftën e saj të lavdishme çlirimtare. Ky fakt u hesht me qëllim.
Ne sot mund të flasim shumë, por pyetja kryesore që duhet të shtrojmë është: Ku janë institucionet e Republikës së Kosovës. Çfarë bëri qeveria e Republikës së Kosovës përballë zhvillimeve në Gjykatën Speciale? Dhe sikur të mos mjaftonte dështimi i deritashëm, sot Kosova qëndron pa qeveri, pa institucione dhe pa agjendë. Mos vallë edhe ky ngërç institucional është i sponsorizuar nga të njëjtit donatorë sikurse edhe Gjykata Speciale.
E sido që të jetë epilogu i “turpit special“ të Bashkimit Evropian, Hashim Thaçi me shokë ishin, janë dhe do të mbeten çlirimtarë. Ata janë arkitektët e kryeveprës shqiptare, LIRISË dhe PAVARËSISË së Republikës së Kosovës. Ata janë heronj të gjallë.
Dhe heronjtë karakterizohen nga fakti se guxojnë të veprojnë kur situata e kërkon. Ata nuk reagojnë kur stuhia ka kaluar, siç bëjnë frikacakët e qaramanët.
Koha është për veprim. Tani!
Liria ka emër- edhe hipokrizia po ashtu!/lajmi.net/