Musliu: Arrestimi i Gjukanoviq-it është vetëm fitore për botën serbe e ruse, jo e botës së lirë

Lufta Hibride në Ballkanin Perëndimor është duke e goditur fuqishëm edhe Malin e Zi, duke e përmbysur rendin gjeopolitik në këtë rajon në favor të Rusisë dhe Serbisë, shkruan drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu. Në një shkrim autorial, Musliu thekson se dy palë zgjedhjet e fundit në Mal të Zi mjaftuan që ta ndryshojnë…

Lajme

30/05/2024 18:25

Lufta Hibride në Ballkanin Perëndimor është duke e goditur fuqishëm edhe Malin e Zi, duke e përmbysur rendin gjeopolitik në këtë rajon në favor të Rusisë dhe Serbisë, shkruan drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu.

Në një shkrim autorial, Musliu thekson se dy palë zgjedhjet e fundit në Mal të Zi mjaftuan që ta ndryshojnë komplet strukturën politike në këtë vend nga pro-perëndimor në pro-rus dhe pro-serb.

Sipas tij, kulmi i ndryshimit të kursit politik të Malit të Zi duket se do të shënohet me arrestimin e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq.

“Arrestimi i Gjukanoviq pritet të jetë një nga ato goditjet që do i japin goditjen e hapur shtetësisë së Malit të Zi duke e njollosur procesin e pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO… Qe nga viti 1995, Gjukanoviq ka ndërtuar lidhje të forta me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në, duke kulmuar me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi më 2006 dhe anëtarësimin në NATO më 2017. Arrestimi i mundshëm i Gjukanoviq vjen pas arrestimeve të figurave të njohura si antiruse dhe antiserbe, përfshirë Milivoje Katniq, Sasha Çagjenoviq, dhe Veselin Veloviq. Katniq, ish-prokuror në rastin e atentatit ndaj Gjukanoviq, kishte arritur në përfundimin se një grup nacionalistësh rusë planifikonin vrasjen e kryeministrit për të sjellë në pushtet një parti opozitare”, shkruan Musliu.

Veç tjerash, Musliu potencon se censusi i fundit në Mal të Zi mund të ndryshojë balancën etnike, pasi ndikimi ruso-serb mund të ketë shtyrë shumë malazezë të deklarohen si serbë.

Kjo, sipas tij, mund ta transformojë Malin e Zi në një shtet të ngjashëm me Maqedoninë e Veriut, me federalizim si Bosnja e Hercegovina, duke krijuar një asociacion për serbët me kompetenca ekzekutive, organizimin e një referendumi që lejon komunat pro-serbe dhe pro-ruse të shpallin pavarësinë ose rikthimin në Serbi, dhe në skenarin më ekstrem, ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe raportit të forcave që prodhon aneksimin e vendit nga Serbia.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë se iluzionet e Perëndimit se “politika e paqëtimit” ndaj Serbisë, mund ta kthejë këtë të fundit në orbitën perëndimore, janë duke prodhuar kundërefekt sikur në rastin e Hitlerit dhe Putinit.

“Paqëtimi ndaj Serbisë po e forcon ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Ballkan deri sa mund të arrijmë në një pikë ku perëndimi do jetë i pafuqishëm ta ruajë gjithë Rimlandin dhe një pjesë të saj në Ballkan do ta lëshoj në duart e Rusisë dhe këtu realizohet suksesshëm Russkiy Mir (Bota Ruse) dhe Srpski Svet (Bota Serbe)”, thotë ai mes tjerash.