Murtezaj: Kosova, vend i përfshirjes së të gjitha komuniteteve e jo i diskriminimit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj po merr pjesë në punimet e lansimit të projektit, Përgjegjësia Kombëtare dhe përkrahja evropiane, në kuadër të iniciativës së integrimit të romëve 2020, që po mbahet në Bruksel.

Lajme

09/06/2016 16:29

Me këtë rast zëvendësministri Murtezaj ka folur për angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në shoqëri. Ai ka bërë me dije, gjithashtu, përkushtimin e Kosovës për rrugën e integrimit në familjen evropiane, si dhe angazhimet e përgjithshme për të integruar të gjitha komunitetet. Zëvendësministri Murtezaj ka deklaruar se “Kosova është vend i përfshirjes së të gjitha komuniteteve në shoqëri, dhe jo vend i diskriminimit”.

Ky aktivitet organizohet nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Regjional dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Në të po marrin pjesë komisioneri për zgjerim i BE-së Johanes Hahn, filantropisti George Soros, si dhe ministra të shteteve të rajonit.