Murati: Seanca do vazhdojë ku ka mbetur- tek komisioni për votim të fshehtë

Ministri në detyrë, njëherësh deputeti i betuar nga radhët e Vetëvendosjes, Hekuran Murati është deklaruar para seancës për konstituimin e kuvendit. Murati tha se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, pra me votimin e Komisionit për votim të fshehtë. “Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi…

Lajme

09/05/2025 09:42

Ministri në detyrë, njëherësh deputeti i betuar nga radhët e Vetëvendosjes, Hekuran Murati është deklaruar para seancës për konstituimin e kuvendit.

Murati tha se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, pra me votimin e Komisionit për votim të fshehtë.

“Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar. Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve”, tha Murati, transmeton lajmi.net.

Murati tha po ashtu se është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë e procesit.

“Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë, sepse jemi në një situatë, ku herën e fundit sikur se dy apo tri herët më parë ka mungesë të kuorumit që po duhet të ndërpritet seanca, për shkak të kourumit”, shtoi ai./Lajmi.net/