Murati: Rasti i Haradinajt produkt i Serbisë për të destabilizuar Kosovën

Ministri i Diasporës dhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se ajo çfarë po ndodh me Ramush Haradinaj është përpjekje e Serbisë për destabilizim të Kosovës.

Lajme

02/03/2017 16:29

Ai me anë të një postimi në facebook, ka thënë se këtyre përpjekjeve të Serbisë duhet përgjigjur duke punuar me konsensus për të gjitha çështjet më rëndësi kombëtare e shtetërore.

Postimi i plotë i Muratit:

Lufta çlirimtare sigurisht që është përpjekja më kulmore e popullit shqiptar për lirinë e Kosovës. Serbia tash e 18 vjet nuk po lënë gur pa lëvizur që këtë luftë ta denigrojë. Gjithashtu Serbia do të përpiqet që duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat të vazhdojë me përpjekjet për të destabilizuar shtetin e Kosovës dhe për ta shndërruar atë në shtet jofunksional. Ajo që po ndodh me Ramushin nëpër sistemin e drejtësisë franceze është produkt i këtyre përpjekjeve të Serbise. Ne duhet t’i përgjigjemi me përpjekje për të punuar me konsesus për të gjitha çështjet me rëndësi vitale kombëtare dhe shtetërore si dhe të punojmë seriozisht që të vëmë para opinionit botëror edhe njëherë të vërtetën mbi krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë. /Lajmi.net/