Murati për propozimin e Abdixhikut: Kthen në kohën e UNMIK-ut, bëhet kur ka luftë civile
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati është deklaruar për media pas përfundimit të seancës së 12-të konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se kjo seancë përsëri nuk prodhoi rezultat si pasojë e bllokadës që po e vazhdojnë ta bëjnë partitë opozitare. “Ne si subjekt fitues jemi munduar që prej seancës së parë të sjellim…

Lajme
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati është deklaruar për media pas përfundimit të seancës së 12-të konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo seancë përsëri nuk prodhoi rezultat si pasojë e bllokadës që po e vazhdojnë ta bëjnë partitë opozitare.
“Ne si subjekt fitues jemi munduar që prej seancës së parë të sjellim alternativa, mundësi zgjidhje kreative, pra qoftë përmes obligimit kushtetues që ta propozojmë kandidaten për kryetare si fitues të zgjedhjeve, Kur e kemi pa që ka probleme he mungesë të koncensusit nga partitë e tjera, kemi ofru që të diskutojmë edhe nënkryetarët në pako që të ketë një dakordim për të gjithë, në mënyrë që të ecet tutje për konstituimin e Kuvendit. Ata nuk kanë pranuar, kanë refuzuar dhe e drejta e tyre për të nominuar kandidatët për kryetar është e pakontestueshme dhe ata nuk e pyesin askënd se kë e caktojnë nënkryetar, ndërkaq të njëjtën të drejtë mundohen t’ia mohojnë fituesit në këtë rast, duke insistuar që të ndryshohet kandidati”, ka thënë ai.
Ai e ka krahasuar votimin e fshehtë që po propozohet në Kuvendin e Kosovës me votimin e djeshëm në Bundestagun gjerman, për kancelarin Merz.
“Kemi ofruar edhe votimin e fshehtë, e patë dje kancelarin Merz në bundestagun gjerman, u zgjodh përmes votimit të fshehtë. Kemi situatën edhe në Kosovë kur pozita e presidentit zgjidhet me votim të fshehtë, kemi rastin në asambletë komunale kur kryesuesit e tyre zgjidhen me votim të fshehtë. Pra, nuk është temë tabu votim i fshehtë e për më tepër edhe është e lejuar dhe parashihet me Kushtetutë e me rregulloren e Kuvendit, siç është cekur në paragrafin 128 të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”, ka shtuar Murati.
Ai tutje ka folur edhe për propozimin e LDK-së, për të cilin edhe shfaqi qasje sulmuese.
”Realisht propozimi për Qeveri tranzicionale është të kthehemi në kohën e UNMIK-ut pra në vitin 2000. Nuk jemi aty, vendi është përballur me zgjedhje të rregullta, dhe vendit duhet t’i jepet Qeveri. Kjo në fakt e shpërfaq kërkesën e opozitës që kishte në fillim të braktis zyrat dhe kjo po del që ka qenë plan të vihet në propozim dhe në mungesë të Qeverisë të kthehemi në qeveri tranzicionale. Vendi ka qeveri në detyrë që po pret të zgjidhet Qeveria e re dhe të ia dorëzoj detyrën. /Lajmi.net/