Murati-opozitës: Ikën nga seanca të painteresuar fare se çfarë buxheti po miratohej, sepse nuk do t’u vije rasti për ta menaxhuar

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati një ditë pas votimit të buxhetit për vitin 2025 ka thënë se opozita as vetë nuk e besojnë atë çfarë thonë, pra se do të vinë në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai këtë e lidhi me votimin e djeshëm të buxhetit. Projektligji për…

Lajme

22/11/2024 15:06

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati një ditë pas votimit të buxhetit për vitin 2025 ka thënë se opozita as vetë nuk e besojnë atë çfarë thonë, pra se do të vinë në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai këtë e lidhi me votimin e djeshëm të buxhetit.

Projektligji për buxhet nuk u votua nga opozita, madje këta të fundit e lëshuan edhe sallën në kohën e votimit.

Megjithatë, Projektligji kaloi dhe u miratua me lexim të dytë.

Murati qëndrimin e tij për opozitën e lidhi me një shembull konkret.

“Në fund të vitit 2020, kur Qeveria Hoti e përbërë nga opozita e sotme dhe e shpallur e paligjshme, kishte sjellë në Kuvend Ligjin e Buxhetit për vititn 2021, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pati vendosur ta votonte buxhetin e përgatitur nga qeveria në ikje. Kjo për arsye se ne ishim plotësisht të bindur që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, do të ishim ne ata që do të udhëheqnim me qeverinë, dhe ishim të interesuar që çështja e buxhetit të kryhej sa më shpejtë, e me sa më pak amandamente, ashtu që kur të vinim ne në qeveri, edhe rishikimi i buxhetit të ishte më i lehtë. Tani, po ta besonte opozita aktuale njëmend se do të vijnë në pushtet, ashtu siç pretendojnë nëpër studio televizive, patjetër se dje do duhej që edhe ata ta votonin ligjin e buxhetit, njësoj sikurse e patëm bërë ne në vitin 2020“, u shpreh ai përmes një postimi.

Mirëpo sipas Muratit, partitë opozitare ikën nga seanca për buxhetin sepse nuk do tu vijë rasti për ta menaxhuar.

“Por as vetë partitë opozitare nuk e besojnë që do të jenë në qeverisje pas 9 shkurtit, prandaj edhe ikën nga seanca dje, të painteresuar fare se çfarë buxheti po miratohej – sepse nuk do t’u vije rasti për ta menaxhuar”, shkroi ai./Lajmi.net