Murati: Opozita refuzoi të votojë buxhetin për Prishtinën dhe RTK-në, kërkoni llogari atyre

Ministri në largim i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se arsyeja shtesë për mosvotimin e buxhetit për Komunë e Prishtinës, është edhe nga partitë tjera të vendit. Në një konferencë për media, ai deklaroi se të gjitha partitë politike e patën mundësinë që të votojnë buxhetin për kryeqytetin në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të…

Lajme

24/11/2025 18:27

Ministri në largim i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se arsyeja shtesë për mosvotimin e buxhetit për Komunë e Prishtinës, është edhe nga partitë tjera të vendit.

Në një konferencë për media, ai deklaroi se të gjitha partitë politike e patën mundësinë që të votojnë buxhetin për kryeqytetin në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, sipas tij, që e kishte thirrur Lëvizja Vetëvendosje, por nuk shkuan aty.

“Mosvotimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në Kuvendin e Kosovës erdhi pasi partitë politike e  tjera, përfshirë edhe LDK-në, nuk erdhën në seancën e ftuar nga ne, e bojkotuan. Ishte mundësia që të votohej si pikë e ndarë e rendit të ditës pika e buxhetit”.

“Ky vendim për mosvotim e bëri problemin edhe më të pariparueshëm, edhe mosvotimi i qeverisë edhe në takimin për dekretimin e zgjedhjeve nga presidentja, e cila ua dha edhe një shans partive politike që para se ta shpërndajë Kuvendin, por së paku të votojë buxhetin për tri komunat edhe për RTK-në, edhe marrëveshjet ndërkombëtare kjo ishte refuzuar edhe nga këto parti”, ka thënë Murati.

Sipas tij, LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku janë vendosur në një betejë politike në kurriz të qytetarëve të Prishtinës.