Murati i përgjigjet Ramës: Komuna s’i pagoi faturat edhe pse buxheti u alokua – propaganda u duhej për fundjavë
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se shumë shërbime në kryeqytet rrezikojnë të ndalen të hënën për shkak të bllokimit të buxhetit, për të cilin ai fajësoi inatet politike. Në një postim në Facebook, Murati ka sqaruar se…
Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se shumë shërbime në kryeqytet rrezikojnë të ndalen të hënën për shkak të bllokimit të buxhetit, për të cilin ai fajësoi inatet politike.
Në një postim në Facebook, Murati ka sqaruar se Thesari i Kosovës kishte alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, me qëllim që të paguheshin faturat për shërbime esenciale, siç është ajo për energjinë elektrike.
“Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm”, ka shkruar ai në postimin e tij. Murati ka akuzuar Rama dhe nënkryetarët e tij për përdorimin e situatës për “propagandë anti-qeveri”, duke theksuar se fatura do të mund të paguhej të premten, nëse do të kishte vullnet.
Sipas tij, kjo situatë sqaron edhe arsyen pse deputetët e LDK-së, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, nuk e votuan buxhetin e Komunës së Prishtinës në Kuvend.
Murati ka thënë se, për mungesë kauzash reale, ata nuk e kursyen as qytetarët e Prishtinës, duke tentuar të fajësojnë Qeverinë për situatën.
Reagimi i Muratit vjen pas kritikave të forta të kryetarit të Prishtinës, i cili e ka akuzuar Qeverinë se po i bllokon financat e qytetit për arsye politike, duke i lënë pa mundësi për të paguar shërbimet esenciale.