Murati flet për vendimet që u morën në mbledhje të Qeverisë: Deri javën e ardhshme, shpresoj që të miratohet ligji për ndarjen buxhetore

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media, sot ka folur në lidhje me mbledhjen e parë që ka mbajtur sot Qeveria e re e Kosovës. Ai ka thënë se në këtë mbledhje urgjente, u proceduan marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxheti, shkruan lajmi.net. “Po besoj që edhe në Kuvend, po punojnë grupet parlamentare që…

Lajme

12/02/2026 11:38

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media, sot ka folur në lidhje me mbledhjen e parë që ka mbajtur sot Qeveria e re e Kosovës.

Ai ka thënë se në këtë mbledhje urgjente, u proceduan marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxheti, shkruan lajmi.net.

“Po besoj që edhe në Kuvend, po punojnë grupet parlamentare që të formohen komisionet që të procedohen edhe këto marrëveshje edhe ligji për ndarje buxhetore edhe çështje tjera që po presin, siç është buxheti për RTK që kërkon miratimin e komisionit për buxhet dhe financa”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se sot ishin disa pika kryesisht financiare të rëndësishme, si plani i rritjes me BE-në që kishte dy pika të rendit të ditës.

“Pika e parë që ishte pakoja e reformave të nevojshme që e kemi dakorduar me BE-në dhe pjesa financiare prej 880 milionë eurove që i janë alokuar Republikës së Kosovës, e që besoj se pas miratimit të sotëm do të kemi shumë shpejtë seancën në Kuvend, ku do të ratifikohet kjo marrëveshje në mënyrë që Kosova të përfitoj nga shuma e alokuar.”, ka thënë Murati.

Ai ka folur edhe për miratimin e kredisë me Bankën Botërore në vlerë prej 90,3 milionë euro, me 0% normë interesi dhe dy marrëveshje të tjera me Bankën Botërore.

“Kishim edhe dy marrëveshje tjera me Bankën Botërore, ajo për arsim dhe shëndetësi. Marrëveshja për arsim përmban investim në çerdhe të reja, në përmirësim të kornizës ligjore dhe ngritje të kapaciteteve shtesë sa i përket fëmijërisë së hershme dhe përmban gjithashtu grantin prej 2 milionë dollarëve i cili synon të mbeshtet fëmijët me asistencë sociale për t;i dërguar fëmijët në çerdhe të mbeshtetur nga ky program.  Ishte edhe marrëveshja sa i përket shëndetësisë, që financon dhe mundëson krijimin e një sistemi shëndetësor të integruar dhe përgatitjen e parakushtit për zbatimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Murati.

Ai ka folur edhe për miratimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2026.

“I njëjti projektligj ishte dorëzuar në tetor të vitit të kaluar po nuk kishte gjetur mbështetje në Kuvend. Tani po e riprocedojmë meqenëse bëhet fjalë për një situatë ku ne vazhdojmë të operojmë pa buxhet dhe me ndarjen e 1/12. Besoj se me formimin e djeshëm të Kuvendit, dhe procedimin e komisioneve parlamentare, shumë shpejt do të kemi edhe seancën në shqyrtim të leximit të parë dhe besoj se gjatë javës së rdhshme do të ndodh edhe leximi i dytë dhe miratimi përfundimtar për ndarje buxhetore.  Meqenëse në ndërkohë ka pagesa që duhet të bëhen, në miratuam edhe kërkesën drejtuar Kuvendit për zgjatjen edhe të muajit mars në mënyrë që të sigurohen se disa prej pagesave që duhet të bëhen tash, dhe sepse ka pasur ndryshim të pagesave që janë bërë gjatë janarit dhe shkurtit, që të mund të sigurohemi dhe ta kemi komoditetin edhe të një ndarje, alokimi të një muaji shtesë ashtu që mos të ndalen pagesat deri të votohet për buxhetin”, ka thënë Murati. /Lajmi.net/