Murati: Disa deputetë të LDK-së janë për marrëveshje politike
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për marrëveshje politike. Ai tha se kjo ftesë vjen pas dy refuzimeve të Abdixhikut, për çka shtoi se janë të gatshëm që të gjejnë mënyra për të dalë nga kjo situatë, shkruan KosovaPress. Murati…

Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për marrëveshje politike. Ai tha se kjo ftesë vjen pas dy refuzimeve të Abdixhikut, për çka shtoi se janë të gatshëm që të gjejnë mënyra për të dalë nga kjo situatë, shkruan KosovaPress.
Murati foli para mediave pas dështimit të serishëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për çka tha se presin përgjigjen e LDK-së.
“Kemi parë që dy ftesat e para sa i përket konstituimit të Kuvendit janë refuzuar, madje s’ka pasur pjesëmarrje as në takim. Kësaj radhe për faktin që ka pasur deputetë nga LDK që janë deklaruar se për të pasur një bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit, por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedh edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut, i cili fton për të diskutuar për bashkëpunim politik në mënyrën si ata po pretendojnë dhe po e shohin se në qoftë se mënyrat tjera janë të pamundshme, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra”, deklaroi ai.
Murati tha se disa deputetë të LDK-së janë për marrëveshje politike.
“Kanë qenë deklarata publike besoj të disa deputetëve, më shumë se një, kanë qenë deklarata publike ju si media mund t’i keni arkivat… Ne kemi dëgjuar të kundërtën nga disa deputetë të LDK-së, por mund t’i pyesni ata”, shtoi ai.
Pas dështimit të seancës, Murati akuzoi sërish partitë opozitare për bllokim, ndërkaq për deputetët e Listës Serbe tha se nuk u ngritën në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve.
“Besoj e patë edhe një herë që partitë të cilat po vazhdojnë ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim ishin PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Ajo çfarë vlen të thuhet kësaj radhe është ajo që e pamë, besoj ishit dëshmitarë edhe ju që edhe gjatë mbajtjes së një minuti heshtjeje, deputetët e Listës Serbe nuk u ngritën fare në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve. Po të varej prej neve siç e kemi thënë edhe më herët, Lista Serbe nuk do të ishte fare në Kuvend. Kur ne kemi kërkuar që të mos certifikohet si subjekt politik për zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e kemi pasur mbështetjen e partive të tjera. Ata kanë munguar në atë seancë duke pamundësuar kuorumin për të votuar mos certifikimin e Listës Serbe. Dhe si pasojë e kësaj i kemi sot në Kuvend, pra një grup politik i cili nuk e pranon dhe njeh Republikën e Kosovës, për më tepër refuzon edhe të bëhet pjesë e nderimit të dëshmorëve”, u shpreh ai.
Sipas tij, opozita më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut, ndërkohë që për të njëjtat parti politike tha se nuk kanë thënë asgjë sa i përket nënkryetarit që i takon komuniteteve joshumicë.
“Në vazhdimësi e kemi parë se si opozita nuk është se ka pasur problem, për më tepër opozita shihet që shumë më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, një deputete e cila në vazhdimësi ka qenë e zëshme kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kundër demarkacionit, kundër Gjykatës Speciale e shumë e shumë dëme të tjera që janë votuar në këtë Kuvend, pikërisht nga këto parti që sot refuzojnë që ta mbështesin kryetaren Albulena Haxhiu. Në anën tjetër nuk kemi dëgjuar asgjë deri më sot për pozitën e nënkryetarit që për shembull ju takon edhe komuniteteve joshumicë”, shtoi Murati.
Ai i ka ftuar deputetët e opozitës që të bashkohen që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe.
“Më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos zgjidhet nga ta. Qëndrimi i LVV-së është që nënkryetari, meqë kemi deputetë që vijnë prej subjekteve tjera përveç Listës Serbe, në këtë rast është deputeti Nenad Rashiq, propozimi jonë është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb dhe nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe. Ftojmë edhe deputetët e opozitës që në vend që të kundërshtojnë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të na bashkohen që së paku të sigurohemi që nënkryetari nuk vjen nga Lista Serbe”, përfundoi ai.
Edhe sot ka dështuar që të votohet komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë të kryekuvendarit. Përsëri nuk mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe.
Deputetët do të mblidhen më 7 maj në tentimin e 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.