Murati: Bllokada e opozitës po e pengon ndarjen e granteve komunale dhe dorëzimin e kornizës buxhetore
Hekuran Murati, deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje ka ka paralajmëruar për pasoja të shumta për shkak të mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar opozitën për bllokimin e këtij procesi. Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Murati ka thënë se në mungesë të një Kuvendi funksional, Qeveria nuk ka mundësi ta…

Lajme
Hekuran Murati, deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje ka ka paralajmëruar për pasoja të shumta për shkak të mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar opozitën për bllokimin e këtij procesi.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Murati ka thënë se në mungesë të një Kuvendi funksional, Qeveria nuk ka mundësi ta dorëzojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, e cila duhet t’i dorëzohet Kuvendit jo më larg se data 30 prill.
Teksa ka thënë se një problem të tillë tashmë është edhe puna me Komisionin për Grante Komunale, ku ligji e kërkon pjesëmarrjen edhe të Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Buxhet.
“Ngjashëm është puna edhe me Komisionin për Grante Komunale, ku ligji e kërkon pjesëmarrjen edhe të Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Buxhet – në mungesë të Kuvendit funksional, nuk ka as Komision për Buxhet dhe s’ka kush të marrë pjesë në Komisionin e Granteve, gjë që e vonon edhe ndarjen e granteve komunale”, ka shkruar Murati.
Tutje ai u ka bërë thirrje opozitës që të tërhiqet nga bllokada dhe të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit.
“Prandaj është e domosdoshme që partitë opozitare të heqin dorë nga bllokada dhe të ndihmojnë konstituimin e Kuvendit sa më parë”, tha Murati. /Lajmi.net/