Munishi arsyetohet për turpin, por nuk e dënon: Nuk e pash rastin, s’mund ta komentoj – mund ta përmbysnim rezultatin

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka tentaur të relativizojë situatën e krijuar në Gjilan, ku tifozët u futën në fushë dhe vendosën ta sulmojnë portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri.

Sport

03/04/2022 16:34

Ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit do të përcaktonte shumëçka në garën për titull të kampionit, por kjo ndeshje u ndërpre në minutat e fundit, kur Gjilani barazoi në 1:1 me golin e portierit Enea Koliçi.

Tifozët zgjodhën të festojnë në një mënyrë të shëmtuar. Ata u futën në fushë dhe goditën lojtarët mysafirë, por Ismet Munishi thotë se nuk ka parë asgjë.

“Po të vazhdonte ndeshja, ndoshta mund të përmbysnim rezultatin. Nuk dua të komentoj, sepse nuk i di rrethanat dhe nuk di çfarë ndodhi, por çfarëdo që them, nuk e di çfarë ndodhi, sepse isha duke festuar për vete”, ka thënë Munishi, përcjell lajmi.net.

“Nuk e di gjendjen e Frashërit sepse isha duke tentuar të qetësojë situatën. Kemi raporte të mira me klubin e Ballkanit. Vendimet për këto gjana i merr tjetërkush. As ne nuk duam të ndodhin këto incidente, as nuk kemi qejf të shohim skena të tilla, nëse kanë ndodh, nuk di çfarë të them”, shtoi trajneri i Gjilanit, duke mos dënuar asnjëherë futjen e tifozëve në fushë.

Ballkani është skuadra lidere e kampionatit. Gjilani mbanë pozitën e dytë. Gjasat janë të mëdha që pas kësaj ndeshje, Ballkani të marrë fitore me rezultat zyrtar. /Lajmi.net/