Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi në rastin “Kobra”

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Burim Mazreku, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tij, Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, si dhe Roland Susurit, Arben Vezajt dhe Jesmir Badallit. Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben…

Lajme

14/07/2025 12:46

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Burim Mazreku, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tij, Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, si dhe Roland Susurit, Arben Vezajt dhe Jesmir Badallit.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i Mazrekut, avokati Gent Gjini tha se nga biseda telefonike, i mbrojturi i tij e ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim.

Më pas, gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi njoftoi se gjykimi nuk mbahet si rezultat i mungesës së Mazrekut, duke njoftuar tutje se pasi që gjykata të marrë raportin mjekësor, do të veprojë bazuar në dispozitat ligjore për të siguruar prezencë e tij në gjykim.

Prezent në këtë gjykim ishin prokurorja speciale: Merita Bina-Rugovë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati, si dhe i akuzuari Hoxha me avokatët, Florent Latifaj dhe Musa Konxheli, Soland Susuri me avokaten Hava Haliti, Arben Vezaj me avokatin Blend Gjini dhe Jesmir Badalli me avokatin Jeton Rekathati.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.