Mungon dëshmitari nga Bosnja në gjykimin e Naser Kelmendit (Video)
Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi për shkak të mungesës së dëshmitarit Amir Pashiq.

Lajme
Pashiq që do duhej të dëshmonte nga Bosnja përmes video-lidhjes, mungoi për shkaqe shëndetësore.
Ai dëshmoi njëherë më 28 tetor në gjykimin e Kelmendit, por është paraparë të dëshmojë edhe më 9 dhe 10 dhjetor.
Pashiq ishte bashkëpunëtor i Ramiz Delaliqit, personit që u vra në Sarajevë në vitin 2007.
Naser Kelmendi akuzohet pikërisht për vrasjen e Delaliqit, por edhe për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.
Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.
Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.
Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.
Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja./kallxo.com/
