Mungojnë dy të akuzuar, dështon seanca për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve gjatë protestave të vitit 2015
Në Gjykatën Themlore në Prishtinë këtë të enjte, në mungesë të të akuzuarve Egzon Azemi dhe Luan Hoti ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku bashkë me Naim Bunjakun po akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve gjatë protestave të vitit 2015 Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi njoftoi se të akuzuarit Azemi dhe Hoti kanë…

Lajme
Në Gjykatën Themlore në Prishtinë këtë të enjte, në mungesë të të akuzuarve Egzon Azemi dhe Luan Hoti ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku bashkë me Naim Bunjakun po akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve gjatë protestave të vitit 2015
Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi njoftoi se të akuzuarit Azemi dhe Hoti kanë qenë të njoftuar për seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Në seancë, të pranishëm ishin mbrojtësit e të akuzuarve Azemi dhe Hoti, avokatët Agron Curri dhe Shkelzen Behrami. Si dhe i akuzuari Naim Bunjaku me avokaten Shemsie Osmani.
Andaj, në mungesë të kushteve, seanca e sotme është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani, Egzon Azemi, Luan Hoti, Ardian Huli dhe Naim Bunjaku akuzohen se më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli tashmë është veçuar procedura penale dhe se ndaj tyre procesi gjyqësor po vazhdon ndaras prej tre të akuzuarve tjerë./BetimipërDrejtësi