“Mungesë provash për trajtimi të papërgjegjshëm mjekësor” – Prokuroria në Pejë mbyll rastin e familjes Muleci

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar pas deklaratave publike të familjes së të ndjerit Adnan Muleci, të bëra më 23 korrik në emisionin “KIKS KOSOVA” në Klan Kosova, ku u pretendua se rasti i vdekjes së tij është mbyllur për përfitime personale të prokurorit dhe institucionit të Prokurorisë. Në reagimin zyrtar, Prokuroria sqaron se rasti…

Lajme

25/07/2025 16:59

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar pas deklaratave publike të familjes së të ndjerit Adnan Muleci, të bëra më 23 korrik në emisionin “KIKS KOSOVA” në Klan Kosova, ku u pretendua se rasti i vdekjes së tij është mbyllur për përfitime personale të prokurorit dhe institucionit të Prokurorisë.

Në reagimin zyrtar, Prokuroria sqaron se rasti është trajtuar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke u ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përfshirë zhvarrosjen e viktimës, autopsinë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe ekspertëve mjekësorë, si dhe dhjetëra veprime të tjera të autorizuara nga prokurori i çështjes.

Sipas Prokurorisë, nga asnjëra prej provave të grumbulluara nuk është vërtetuar ndonjë dyshim i arsyeshëm që vdekja e Adnan Mulecit ka qenë rezultat i trajtimit të papërshtatshëm mjekësor nga mjeku B.V., ndaj të cilit ishte hapur rasti, raporton lajmi.net

“Provat ekzistuese nuk e mbështesin dyshimin se kemi të bëjmë me veprën penale ‘Trajtimi i papërgjegjshëm mjekësor’, prandaj rasti është mbyllur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria gjithashtu thekson se gjatë gjithë hetimeve ka ofruar transparencë të plotë për familjen Muleci dhe për mediat, duke i mbajtur të informuar për ecurinë e rastit.

Ndërkohë, pas pretendimeve publike për “përfitime personale”, Kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës ka autorizuar që Policia e Kosovës t’i marrë në pyetje familjarët e të ndjerit në cilësinë e dëshmitarëve, në mënyrë që të ofrojnë prova apo dëshmi lidhur me këto akuza.

Në fund të reagimit, Prokuroria rithekson se çdo rast penal trajtohet me përkushtim, objektivitet dhe në mënyrë të pavarur, ndërsa familja Muleci është udhëzuar për të ushtruar ankesë në Prokurorinë e Apelit nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e marrë./Lajmi.net/