Mungesa e ujit të pijshëm në Klinë, Elezaj tregon se kur do të zgjidhet problemi
Furnizimi me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza dhe ndërtimi i rrugës së transitit, janë tri projekte më të mëdha që kreu i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj synon t’i përfundojë në këtë mandat.

Lajme
Elezaj gjatë një interviste për lajmi.net ka thënë se kanë trashëguar një gjendje të rëndë nga qeverisja e kaluar sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Ai ka thënë se për zgjidhjen e këtij problemi vitin e parë të qeverisjes kanë qenë të koncentruar në variantin e furnizimit me ujë nga burimi i Lumit Istog.
Sipas tij, deri në vitin 2021 komuna e Klinës do të ketë ujë të pijshëm 24 orë.
Kreu i Klinës ka folur edhe për problemin me pluhurin nga gurthyesit, për të cilën i ka hedhur fajin Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Derisa ka folur për marrëdhëniet me opozitën, në këtë Komunë, Elezaj ka thënë se janë duke u munduar që të bashkëpunojnë.
Elezaj ka folur edhe për premtimin të cilin nuk e mbajti, për emërimin e të paktën tri grave në krye të drejtorive. Për të cilin ka thënë se ai e ka emëruar një drejtoreshë nga AAK-ja, por që thotë se nuk i ka obliguar partnerët e koalicionit
Ndër të tjera, Elezaj ka folur edhe për Investimet kapitale në bujqësi, për të cilat ka thënë se janë rritur dhe këtë vit kapin vlerën prej 850 mijë euro.
Ndërsa, sipas tij, pjesa e subvencioneve komunale në bujqësi për këtë vit kap vlerën e 55 mijë euro.
Intervista e plotë:
Lajmi.net: Çfarë ka ndodhur me projektin disa vjeçar të Komunës, atë për furnizim me ujë të pijes. Prej kur Klina do të ketë 24 orë ujë të pijshëm?
Eezaj: E kemi trashëguar një gjendje të rëndë për sa i përket furnizimit me ujë të pijes. Për zgjidhjen e këtij problemi vitin e parë qeverises kemi qenë të koncentruar në variantin e furnizimit me ujë nga burimi i Lumit Istog. Tani e kemi pergjigjen negative nga Komuna e Istogut dhe jemi në fazen e tenderimit të projektit për hartimin e studimit për furnizimin me ujë të pijes për tërë Komunën e Klinës me kapacitet 300 litra në sekond.
Në bazë të parashikimeve (duhet pritur rekomandimet e studimit) në fund të vitit 2021 Klina do të ketë ujë 24 orë.
Lajmi.net: Pluhuri nga gurëthyesit po ashtu është një tjetër problem jo i vogël. Si komunë sa po arrini të inspektoni këto kompani për të kuptuar nëse po ndërmarrin masat e duhura për të mos shkaktuar rreziqe të ndryshme për qytetarët?
Elezaj: Kjo është kompetencë e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe inspektorati komunal më tepër është i fokusuar në ndalimin e operimeve ilegale.
Lajmi.net: Keni premtuar se do t’i emëroni të paktën tri gra në krye të drejtorive. Por, e ke emëruar vetëm një. Pse nuk e mbajtët premtimin?
Elezaj: Jemi në koalicion me partitë tjera dhe unë e kam emëruar nga AAK një drejtoreshë të gjinisë femërore. Nuk i kam obligu partneret e koalicionit.
Lajmi.net: Vajza juaj është punësuar në QKMF-në në Klinë. A keni përdorur autoritetin e tuaj për ta punësuar vajzën?
Elezaj: Komuna e Klinës ka mungesë të mjekëve. Nuk ka patur asnje ankesë në procedurën e regrutimit dhe nuk e kam përdorur autoritetin tim në këtë proces.
Lajmi.net: Në disa shkolla të komunës së Klinës, klasat janë të mbingarkuara me nxënës. Çfarë keni bërë për ta zgjedhur këtë problem?
Elezaj: Ngarkesa më e madhe ekziston në Shkollen fillore “Ismet Raci”, e cila ëshë paraqitur si pasoj e objektit të vjetëruar. Fillimi i vitit shkollor 2019/20 nxënësitdo të zhvendosen në objektin e ri dhe do të shikohet mundësia edhe për shtimin e klasëve konform numrit të nxënësve.
Lajmi.net: Gjatë fushatës zgjedhore keni premtuar 1 milion euro investime në bujqësi. Kur pritet të jetësohet ky premtim?
Elezaj: Investimet kapitale në bujqësi janë rritur dhe këtë vit kapin vlerën prej 85 0000 euro. Pjesa e subvencioneve komunale në bujqësi për këtë vit kap vlerën e 55 000 euro. Vlera e investimeve të parapara me bashkëfinancim me fermerë është rreth 50 000, por kjo vlerë është e kushtëzuar nga niveli qendror, nëse fermerët fitojnë grantet për të cilat buxheti komunal do të marrë pjesë me 20%.
Bazuar në këto të dhëna rezulton qe investimet për vitin 2019 në bujqësi do të janë rreth 190 000 euro. Synimet tona janë qe investimet vjetore të arrijnë vlerën e 250 000 eurove, qe nënkupton për 4 vite vlera e investimeve në bujqësi të arrij në 1 milion euro.
Lajmi.net: Klina i ka disa lumenj, kemi parë që shtretërit e tyre janë të dëmtuar shumë, qoftë nga rëra qoftë nga kanalizimet e shumta që derdhen në to. Kur komuna do t’i kthej sytë nga ta dhe t’i jetësojë?
Elezaj: Këtë vit jemi në fazen përgaditore për hartimin e studimit për trajtimin e ujërave të zeza, qe nënkupton edhe përpjekje për sigurimin e mbështetjes financiare për implementimin e këtij projekti, i cili do ti minimizon dëmët e kësaj natyre. Gjithashtu jemi duke bashkëpunuar me KPMM rreth operimeve ilegale në shfrytëzimin e rërës dhe zhavorrit.
Lajmi.net: Duke marrë parasysh përplasjet në nivel qendror. E dimë që vetëm PDK-ja në Klinë është në opozitë. A po pengon në sabotimin e punës kjo parti?
Elezaj: Ne jemi duke punuar me transparencë të plotë dhe po mundohemi të bashkëpunojmë edhe me opoziten.
Lajmi.net: Sa jeni të kënaqur me gjetjet e deritanishme nga zhvillimet arkeologjike në fshatin Dresnik. A do të mund të ndaj komuna buxhet për këtë çështje?
Elezaj: Në këtë fazë po përgaditemi për të aplikuar në fondet e IPA lidhur me vazhdimin e hulumtimeve për këtë projekt. Jemi të gatshëm të participojmë në financimin e hulumtimeve në këtë zonë.
Lajmi.net: Cilat janë tri projektet më të mëdha që synoni në mandatin tuaj?
Elezaj:
- Furnizimi me ujë të pijës,
- Trajtimi i ujërave të zeza dhe
- Ndërtimi i rrugës së tranzitit
këto projekte do të fillojnë gjatë mandatit, por për arsye të rëndësisë mund të vazhdojnë edhe pas vitit 2021.
Lajmi.net: A keni ndonjë projekt për të instaluar sistemin e rrjetit të ujitjes në ndonjë zonë të Klinës, pasi tokat bujqësore llogariten në nivel më të lartë së në rajonet tjera?
Elezaj: Po punojmë në ndërtimin e kanaleve për ujitje të tokave bujqësore, i cili projekt do të vazhdoj në vitet vijuese.