Mungesa e aktiviteteve fizike, shkaktar i mbipeshës tek fëmijët

Mbipesha është një problem serioz për një përqindje të madhe të fëmijëve në mbarë botën. Moskujdesi serioz i prindërve ndaj të ushqyerit të fëmijëve, e në veçanti, mos aktiviteti fizik, janë disa nga shkaktarët për obezitetin tek fëmijët. Doktorët thonë se obeziteteti është shqetësim global, sidomos në këtë kohë kur përdorimi i mjeteve teknologjike ka zëvendësuar aktivitetet fizike të fëmijëve.

Lajme

08/08/2017 09:55

Viteve të fundit është në rritje numri i fëmijëve me obezitetet apo shtim në peshë në mbarë botën e edhe në vendin tonë, thotë doktoresha Rita Berisha-Demiri. Shkaktaret kryesor janë ushqimi dhe mungesa e aktiviteteve fizike. Përdorimi i pajisjeve teknologjike ka bërë që fëmijët të jenë më pak aktiv në aspektin fizik.

“Obezitetit është një problem global, jo vetëm tek ne. Unë mendoj që kjo ndodh për shkak të përdorimit të mjeteve teknologjike, fëmijët janë më pasiv në aspektin fizik”, ka theksuar për Radio Kosovën, Rita Berisha-Demiri.

Doktoresha Berisha-Demiri, thotë se fëmijët me obezitet në të ardhmen mund të preken nga sëmundje të ndryshme, sidomos me diabet, yndyrë në gjak e edhe me sëmundje të tjera.

“Për shkak të obozitetit  rritet kolosteroli, rriten sheqernat, dhe fëmijët munden me pas problem në enët e gjakut  apo edhe diabet”, ka shtuar doktoresha Berisha-Demiri).

Një nënë, nga Prishtina tha për Radio Kosovën, se ka shumë kujdes se me çfarë i ushqen fëmijët, pasi sipas saj vetë prindërit janë fajtor për mbipeshën tek fëmijët.

“Preferoj ushqimet natyrale, sepse nëse lejojmë fëmijët të ushqehen me çfarëdo ushqimi mund të kenë pasoja. Ushqimi dhe mosaktiviteti fizik janë shkaktarë të mbipeshës. Diabeti dhe problemet me gjakun mund te jenë vetëm disa nga pasojat në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Sipas dietologeve, prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj fëmijëve, sidomos nga mosha 5 vjeç deri në moshën e pubertetit, kur mundësit për shtim në peshë janë mjaftë të mëdha. /RTKlive/