Mujka i VV-së nën hetime për korrupsion dhe lidhje me partinë e gruas së Millosheviqit, largon nga puna veteranin e UÇK-së
Largimi i papritur nga puna i veteranit të UÇK-së, Agim Pllashnikut ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos kur ky veprim erdhi vetëm një ditë pasi ai dorëzoi kallëzim penal ndaj deputetes së VV-së, Fitore Pacolli. Vendimi është marrë nga Faruk Mujka, drejtues i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, dhe një emër i njohur brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ky…

Lajme
Largimi i papritur nga puna i veteranit të UÇK-së, Agim Pllashnikut ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos kur ky veprim erdhi vetëm një ditë pasi ai dorëzoi kallëzim penal ndaj deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
Vendimi është marrë nga Faruk Mujka, drejtues i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, dhe një emër i njohur brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ky veprim është cilësuar si hakmarrje politike dhe tentativë për të heshtur zërat kritikë brenda institucioneve, transmeton lajmi.net
“Skandal si në Korenë e Veriut. I ndërpritet marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut, pikërisht pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Fitore Pacollit. Si është e mundur, dhe pse pikërisht tani, pa paralajmërim, pa vërejtje dhe pa bazë ligjore? Kjo është dëshmi e shkeljes së rëndë të vlerave demokratike në këtë vend”, deklaroi avokati i Pllashnikut.
Për krejt këtë ngjarje e cila po cilësohet si politike dhe aspak profesionale, Faruk Mujka nuk është një figurë e pastër në raport me ligjin.
Në vitin 2023, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pas një aksioni kundër korrupsionit. Prokuroria kishte bërë të ditur se Mujka, së bashku me Hysen Muzliukajn, dyshohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Të dy u dërguan në mbajtje për 48 orë.
Në kohën kur ndodhi arrestimi, Mujka mbante postin e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, ndërsa më herët kishte qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, gjatë mandatit të kryetarit Agim Bahtiri.
Ai ka qenë gjithashtu kryetar i VV-së në Mitrovicë, pozitë nga e cila u largua në vitin 2021, duke lënë pas vetes një të kaluar me mjaft dyshime.
Por, për figurën e VV-së nuk përfundon me kaq, pasi Mujka në të kaluarën akuzohej për lidhje me partinë e Mira Markoviqit, bashkëshortes së Sllobodan Millosheviqit.
Në vitin 2021, emri i Mujkës u përfol gjerësisht pas qarkullimit të një dokumenti që sugjeronte se ai kishte qenë pjesë e partisë së Mira Markoviqit, bashkëshortes së kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.
Edhe pse nuk e mohoi drejtpërdrejt përfshirjen, Mujka reagoi publikisht me një status ku shkruante:
“Sa i përket partisë se jullit… asnjëri nga komandantët nuk ma ka përmendur as jullin, as gruan e Sllobës… ose ata nuk mendojnë si ju, ose ndoshta edhe ata kanë qenë me mua në jull. Rrugë të tretë nuk ka.”
Postimi i tij atë kohë:
“Të nderuar miq e dashamirë.
Siq e keni lexuar dje në disa portale tona të cilat fatkeqësisht të vetmin qëllim e kan me përça popullin deri në atomin e fundit dhe besa goxha sukses po kan, unë kam dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Mitrovicë.
Arsyeja e vetme ishte se unë edhe në politikë aplikoj vlerat morale. LVV në këto zgjedhje ka arritur rezultatin më të mirë në historikun e saj të zgjedhjeve lokale me një rritje prej 81% në krahasim me 2017 dhe 4 fishim në krahasim me 2013. Pra, realisht unë jam fitues.
Sa për ilustrim po i prezentoj rezultatet e 3 palë zgjedhjeve për Kuvendin Komunal:
2013: subjekti i 4
2086 vota 7.86% 3 Asambleistë
2017 subjekti i 4
4820 vota 16.93% 6 Asamblistë 117% rritje
2021 subjekti i 2
8308 vota 30.59% 12 Asamblistë 81% rritje
Por gjithsesi mbaj përgjegjësi për premtimin tim se Kryetari Agim Bahtiri fiton pa ballotazh dhe ne do të kemi 18 asambleistë.
Unë mbaj përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e mia.
Sulmet e ulëta vijnë nga matrapazët e mercenarët që sabotuan Lëvizjen dhe u shitën te PDK me qëllim që pastaj ata të shihen si “shpëtimtarë” dhe “reformues” të Lëvizjes. Por shumë shpejt do ta kuptojnë se do të hasin në një mur kinez për ta.
Unë kam dhënë dorëheqje nga të qenurit Kryetar por asnjëherë nga të qenurit aktivist dhe ti lejoj oportunistët e matrapazët të shfrytëzojnë ditët e vështira të Lëvizjes dhe për ta shkatërruar atë plotësisht nga brenda.
Faruk Mujka, nuk është pensionuar nga politika. Këtë kënaqësi nuk ju ofroj asnjëherë atyre dhe sojit të tyre që festonin deri në skizofreni humbjen e familjes Jashari në Skënderaj.
Unë kam hapur rrugë për ata që me të vërtetë e dojnë dhe i ndihmojnë Lëvizjes por për batakçinjtë e portaleve STOP i pakalueshëm.
P.S. sa i përket partisë se jullit, gjatë këtyre viteve kam pasur takime, konsultime, dreka e darka dhe shumë foto me pothuaj shumicën e komandantëve të famshëm. Asnjëri nuk ma ka përmendur as jullin as gruan e Sllobës.
Tash ose ata nuk mendojnë si ju ose ndoshta edhe ata kan qenë me mua ne jull. Rrugë të tretë nuk ka.
Gjërat do të kthehen në normalitet shumë më shpejtë se që mendojmë ne.
Koha do të dëshmojë se uji tërhiqet vetë, shkëmbi mbetet i palëkundur, e unë jam nga ata të palëkundurit”.
Profili, kush është Faruk Mujka i VV-së që largoi nga puna veteranin e UÇK-së?
Faruk Mujka ka lindur më 08.12.1967 në qytetin e Mitrovicës ku dhe ka kryer shkollimin. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës ku ka studiuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Pra me profesion është inxhinier i ndërtimit.
Në jetën politike në vend është kyçur më 2007 më rastin e themelimit të Partisë Ekologjike të Kosovës. Së pari ka qenë kryetar i degës në Mitrovicë, e më pastaj nënkryetar i partisë në nivelin qendror.
Më 2010, është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga viti 2013 deri më 2016 ka qenë asamblist i këtij subjekti politik në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut. Më 2016 është emëruar nënkryetar i kësaj komune, me vendim të kryetarit të atëhershëm, Agim Bahtiri.
Ai ka qenë kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Jugut si dhe zëvendëskryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet e vitit 2019 ka qenë kandidat për deputet për Kuvendin e Kosovës ku nuk ka mundur ta sigurojë ulësen.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2021 partia e ka nominuar në listën e kandidatëve për deputetë, por që Mujka kishte marrë vendim që të tërhiqej nga gara.
Në të njëjtin vit, në zgjedhjet lokale, të mbajtura më 17 tetor, kandidati i VV-së, Agim Bahtiri I kishte humbur zgjedhjet. Kjo kishte qenë arsyeja që ai kishte dhënë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të degës.
Më 6 dhjetor 2022 ai është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”./Lajmi.net/