Muja publikon rezultatet: Qumështi, djathi, maza dhe të gjitha 26 produktet e qumështores “Vita” kanë vaj palme e qumësht pluhur

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka reaguar pas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për gjetjet në produktet ushqimore, duke thënë se situata nuk mund të paraqitet sikur “gjithçka është në rregull”. Muja tha se pas publikimit të raportit të AUV-it, ai i ka kërkuar këtij institucioni që të analizojë secilin produkt dhe,…

Lajme

10/08/2026 12:37

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka reaguar pas raportit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për gjetjet në produktet ushqimore, duke thënë se situata nuk mund të paraqitet sikur “gjithçka është në rregull”.

Muja tha se pas publikimit të raportit të AUV-it, ai i ka kërkuar këtij institucioni që të analizojë secilin produkt dhe, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, të vlerësojë përshtatshmërinë e tyre për konsum.

“Pas vlerësimit produkt për produkt, do të tërhiqen nga tregu, ashtu siç e parashikon ligji”, tha Muja.

Ai bëri të ditur se ka kërkuar që AUV të bashkëpunojë edhe me Administratën Tatimore të Kosovës dhe që çështjet përkatëse t’i referohen Prokurorisë së Shtetit.

Duke folur për të dhënat e Doganës, Muja tha se është evidentuar import i madh i qumështit pluhur dhe koncentratit të hirrës pluhur nga disa subjekte.

Sipas tij, në rastin e vajit të palmës, të dhënat kanë treguar import të sasive të mëdha nga qumështorja “Vita”.

“Është konstatuar përtej dyshimit se qumështorja ‘Vita’ ka importuar sasi të madhe të vajit të palmës, ku në vitin 2025 është afërsisht 1 milion kilogramë”, deklaroi Muja.

Ai tha se gjatë kontrolleve në depon e kompanisë janë gjetur “tonelata të qumështit pluhur dhe tonelata të vajit të palmës”, ndërsa inspektorët kanë evidentuar 26 produkte me vaj palme.

Muja u ndal veçanërisht te gjetjet e prezantuara nga AUV-ja më 5 gusht, duke pretenduar se në një seri produktesh të bylmetit, qumështi i lopës ishte zëvendësuar me vaj palme, ndërsa produktet ishin prezantuar me emër tjetër.

“Konsumatori ka blerë qumësht duke menduar se është qumësht, mazë e të tjera, por sipas raportit të AUV-it konsumatorët kanë blerë qumësht, por nuk ka qenë qumësht; kanë blerë mazë e nuk ka qenë mazë; kanë blerë djathë, por nuk ka qenë djathë”, tha ministri.

Ai theksoi se qytetarët duhet të kenë informacion të saktë për atë që konsumojnë, duke ngritur shqetësimin edhe për produktet që shiten në gastronomi dhe furra.

“Qytetarët duhet ta dinë çka po konsumojnë. Këto produkte barten në zinxhirin e ushqimit. Byreku me djathë nuk ka etiketë, e blen në furrë”, tha Muja.