​Muja: Eksportet bujqësore arritën në 185 milionë euro, por Kosova vazhdon të ketë nevojë për importe

Eksportet bujqësore të Kosovës arritën në 185 milionë euro vitin e kaluar, duke u dyfishuar pothuajse krahasuar me vitin 2019, ndërsa rritja e importeve tregon se vendi ka potencial për shtimin e prodhimit vendor. Kështu ka deklaruar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në panelin për bujqësinë dhe industrinë ushqimore, në kuadër…

Lajme

20/10/2026 15:24

Eksportet bujqësore të Kosovës arritën në 185 milionë euro vitin e kaluar, duke u dyfishuar pothuajse krahasuar me vitin 2019, ndërsa rritja e importeve tregon se vendi ka potencial për shtimin e prodhimit vendor. Kështu ka deklaruar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në panelin për bujqësinë dhe industrinë ushqimore, në kuadër të Samitit të Ballkanit.

Në panelin me temën “Nga toka e Ballkanit drejt rafteve globale: Bujqësia, teknologjia bujqësore dhe përpunimi i ushqimit në shkallë të gjerë”, Muja ka thënë se potenciali për investime shtrihet përgjatë tri fushave kryesore të zinxhirit të vlerës: prodhimit primar bujqësor, përpunimit fillestar dhe përpunimit industrial.

Ai ka theksuar se përkundër potencialit të madh për prodhim vendor, Kosova vazhdon të importojë produkte bujqësore, veçanërisht në fushat ku mund të rritet kapaciteti prodhues dhe përpunues.

“Eksportet bujqësore janë pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2019. Vitin e kaluar, ato arritën në 185 milionë euro, çka tregon se ekziston një potencial i madh eksportues, i cili po zhvillohet vazhdimisht. Megjithatë, në të njëjtën kohë, edhe importet bujqësore janë dyfishuar në vlerë absolute, duke dëshmuar se ka hapësirë të konsiderueshme për rritjen e prodhimit vendor. Në përgjithësi, do të veçoja tri fusha të ndryshme përgjatë zinxhirit të vlerës. E para është prodhimi primar bujqësor, ku vazhdojmë të importojmë, ndonëse kemi potencial të madh për prodhim. E dyta është përpunimi fillestar, ku, sipas meje, qëndron potenciali më i madh, por ku vazhdojmë të importojmë. E treta është përpunimi industrial. në prodhimin bujqësor vendor, prioritet është prodhimi i integruar i shpezëve. Së dyti, rritja e gjedheve për mish. Ne kemi nevojë për mish, Evropa ka nevojë për mish, por edhe Kosova ka nevojë për mish. Së treti, modernizimi i fermave të qumështit. Së katërti, zgjerimi i kultivimit në sera, që është shumë i rëndësishëm. Së pesti, ngritja e plantacioneve me fruta, manaferra dhe arra. Këtu investitorët do të gjejnë potencial të madh. Ne e kemi rishikuar skemën e mbështetjes bujqësore për t’u siguruar që investitorët të kenë sukses”, tha Muja.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Ilir Ajdini, ka prezantuar investimet e planifikuara në ujitje, infrastrukturën e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve ushqimore, si dhe sigurinë ushqimore.

“Vlen të përmendet projekti i Bankës Botërore, me vlerë prej 64.6 milionë eurosh. Qëllimi kryesor i këtij projekti është investimi në sistemin e ujitjes. Aktualisht, jemi në proces të zbatimit të projektit në rajonin e jugut të Shqipërisë, ku planifikojmë të modernizojmë rreth 2 mijë e 200 hektarë tokë bujqësore. Përfundimi i këtij investimi planifikohet në fund të vitit 2027. Një tjetër komponent i rëndësishëm janë qendrat e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve ushqimore. Ato kanë rëndësi të veçantë, pasi shërbejnë si pikë takimi mes blerësve dhe shitësve. Këto qendra do të vendosen në disa rajone të Shqipërisë, ku do të investohet në paketimin dhe përpunimin e produkteve tona tradicionale. Duke pasur parasysh zhvillimin e aktiviteteve turistike dhe agroturistike, këto qendra do të ndihmojnë në lidhjen e prodhuesve me blerësit. Siguria ushqimore është një nga temat më të rëndësishme për ne sot. Ajo lidhet drejtpërdrejt me standardet evropiane, ndërsa Kapitulli 12 është, natyrisht, një nga kapitujt më të vështirë në procesin e integrimit evropian. Në kuadër të projektit të Bankës Botërore, po përgatitemi të investojmë në sektorin e sigurisë ushqimore, veçanërisht në laboratorë”, tha ai.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, ka vënë në pah rëndësinë e bujqësisë për punësimin, zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore, duke theksuar njëkohësisht sfidat me të cilat përballen fermerët.

Ai ka thënë se ndryshimet klimatike, rritja e kostove të prodhimit dhe ndryshimet në tregje po shtojnë presionin mbi fermerët për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

“Bujqësia ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë. Ajo është burim jetik i të ardhurave dhe punësimit, themel i zhvillimit rural dhe kontribuues i rëndësishëm në sigurinë tonë ushqimore. Bujqësia është shumë më tepër sesa një sektor tradicional ekonomik. Ajo mbështet mijëra familje, mban gjallë komunitetet tona rurale dhe kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë se fermerët tanë po përballen me sfida serioze. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin e ndryshimeve klimatike në nivel global. Besoj se asnjë vend nuk është imun ndaj efekteve të tyre. Kostot e prodhimit po rriten, tregjet po ndryshojnë dhe fermerët tanë po përballen me presion gjithnjë e më të madh për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Ujitja për hirë të vërtetës për ne paraqet një nga sfidat tona më të mëdha. Sektori bujqësor është ditekt i varur nga uji i tokës”, tha ai.