Muja: Afro 1 milion euro investim për luftimin e EHKK-së, nis dizensektimi në zonat endemike
Në Malishevë ka nisur zyrtarisht procesi i dizensektimit në zonat me rrezik të lartë nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), në kuadër të një projekti shumëvjeçar të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reduktimin e rrezikut nga kjo sëmundje. Nga afër fillimin e këtij procesi e përcolli ministri i MBPZHR-së, Armend Muja,…
Lajme
Në Malishevë ka nisur zyrtarisht procesi i dizensektimit në zonat me rrezik të lartë nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), në kuadër të një projekti shumëvjeçar të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reduktimin e rrezikut nga kjo sëmundje.
Nga afër fillimin e këtij procesi e përcolli ministri i MBPZHR-së, Armend Muja, i cili tha se institucionet po investojnë në masa konkrete dhe afatgjata për mbrojtjen e qytetarëve në zonat më të prekura.
“Po investojmë mbi 971 mijë euro për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për uljen e rrezikut nga EHKK në komunat endemike,” deklaroi Muja.
Sipas ministrisë, projekti financohet me 971,100 euro për periudhën 2025–2028 dhe parasheh trajtimin e rreth 5,200 hektarëve çdo vit në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut.
Aktivitetet e dizensektimit do të fokusohen në komunat Malishevë, Klinë, Rahovec, Suharekë dhe Drenas, të cilat konsiderohen zona me rrezik më të lartë për përhapjen e rriqrave bartëse të EHKK-së.
“Mbrojtja e shëndetit publik dhe parandalimi i rrezikut nga EHKK mbeten prioritet i institucioneve tona. Përmes këtij projekti po ndërmarrim veprime konkrete, profesionale dhe afatgjata për të mbrojtur qytetarët dhe për të ulur rrezikun në zonat më të prekura,” u shpreh ministri Muja.
Ai theksoi se projekti po realizohet në koordinim të ngushtë me Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, komunat përkatëse dhe ekspertët profesionalë të fushës.
“Ndërhyrja e hershme dhe bashkëpunimi institucional janë thelbësore për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për qytetarët,” deklaroi ai.
Nga MBPZHR-ja u bë e ditur se gjatë realizimit të projektit do të përdoren vetëm preparate të aprovuara dhe metoda të sigurta, në përputhje me standardet profesionale dhe mbrojtjen e mjedisit.
Synimi kryesor i projektit mbetet ulja e rrezikut nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo dhe mbrojtja e shëndetit publik në zonat e prekura.