Muhaxhiri: Jemi në qorrsokak, partitë luajnë rolin e viktimave
Dështimin e sërishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar procesin e konstituimit të legjislativit, Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë dhe njohës i zhvillimeve politike e cilësoi si situatë për keqardhje. Ai thekson se politikanët janë duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve që u kanë besuar votat dhe sipas tij,…

Lajme
Dështimin e sërishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar procesin e konstituimit të legjislativit, Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë dhe njohës i zhvillimeve politike e cilësoi si situatë për keqardhje.
Ai thekson se politikanët janë duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve që u kanë besuar votat dhe sipas tij, sjellja e tyre është irrituese dhe zhgënjyese.
“Nuk ka aspak vullnet për bashkëpunim dhe për gjetje të zgjidhjes. Sipas të gjitha gjasave, mundësia e vetme [për të tejkaluar ngecjen] është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo, si instanca e fundit, mund ta marrë një verdikt për zhbllokimin e gjendjes aktuale”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se ngecja në konstituimin e Kuvendit po bëhet qëllimshëm nga partitë politike, sepse me konstituimin e legjislativit do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në këtë kontekst, sipas tij, as Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, por as tri partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë motiv të mjaftueshëm për të tejkaluar bllokadën për konstituimin e Kuvendit.
“Sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte… Jemi në një qorrsokak, sepse [kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk dëshiron ta krijoj Qeverinë, ndërsa në anën tjetër, opozita nuk i ka votat, sepse në të kundërtën edhe ajo do të duhej të ishte më energjike në kërkimin e zgjidhjeve ligjore për të dalë nga kjo bllokadë”, thekson Muhaxhiri.
Sipas tij, hedhja e fajit për ngecjen e procesit të konstitumit të Kuvendit ndërmjet partive politike, Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, është vetëm luajtje e “rolit të viktimave” para qytetarëve të vendit.