Muharremi tregon pasojat e shtrenjtimit të rrymës: Kemi ofruar zgjidhje por arroganca ishte më e madhe se përgjegjësia

Njohësi i çështjeve politike e ekonomike, Shenoll Muharremi, ka bërë një analizë me pasojat që do të ketë rritja e çmimit të rrymës. Sipas tij këto pasoja nuk do t’i ndjejnë vetëm qytetarët të cilët nuk do të mund të përballojnë muajin por edhe bizneset që sipas tij po mbijetojnë me vështirësi. Tutje ai thotë…

Lajme

08/04/2025 10:00

Njohësi i çështjeve politike e ekonomike, Shenoll Muharremi, ka bërë një analizë me pasojat që do të ketë rritja e çmimit të rrymës.

Sipas tij këto pasoja nuk do t’i ndjejnë vetëm qytetarët të cilët nuk do të mund të përballojnë muajin por edhe bizneset që sipas tij po mbijetojnë me vështirësi.

Tutje ai thotë se për këtë kanë kërkuar reagim e kanë ofruar zgjidhje por se arrroganca ishte me e madhe se përgjegjësia, ku për pasojë nuk u mor asnjë vendim në favor të qytetarëve. /Lajmi.net/

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Dje i dërgova një letër publike Qeverisë:

Mos e rritni çmimin e rrymës përsëri!

Jo vetëm për qytetarët që mezi po e përballojnë muajin, por edhe për bizneset vendore që mezi po mbijetojnë. Rritja e energjisë shkakton apo nënkupton rritje të inflacionit. E kjo dmth ekonomi më e dobët. Jetë më të vështirë.

E çka bëri Qeveria, si reagoj?

Dolën me një video duke thënë se “zgjidhja” është me i ndëshku ata që shpenzojnë më shumë. Seriozisht? Ky është plani juaj a?

E kush janë ata që shpenzojnë më shumë? Bizneset, prodhuesit, ndoshta dhe familjet e mëdha.

Kur i ngarkon bizneset, ato rrisin çmimet. Kush paguan në fund? Qytetari. Ai që nuk ka ku me ia mbajtë! Derisa nuk mundet ma edhe del jashtë vendit..

Ky është efekt zinxhiror i vendimit tuaj:

-Ushqimi më i shtrenjtë

-Shërbimet më të shtrenjta

-Transporti më i shtrenjtë

-Jeta më e vështirë

-Biznese me pak konkurrente

-Rritje importi

E Qeveria? Hesht. Justifikohet.

E kemi dhënë alarmin, kemi ofruar zgjidhje, kemi kërkuar reagim. Por arroganca është më e madhe se përgjegjësia.

– 300,000 banorë më pak në fshatra.

– Ekonomia dobësohet çdo muaj.

– 500 milionë dalin jashtë vendit në muaj me bilanc negativ tregtar në mallra, e mbi 5 miliardë euro në vit.

Çmimi i rrymës veç është kulmi.

Të gjitha mjetet i kemi përdorur. Të gjitha alternativat i kemi ofruar.

Nëse nuk ua ndjen për qytetarin, për biznesin vendor, për ekonominë tonë, për çka janë aty?

Energjia nuk është luks. Është bazë e zhvillimit.

Nëse nuk e kuptojnë këtë… për çka janë aty?