Muharremi për paralajmërimin e shtrenjtimit të rrymës: A je n’veti ZRRE?
Ekonomisti, Shenoll Muharremi, ka reaguar për paralajmërimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës përsëri prej 15 %.Ai ka shkruar se kjo është e papërballueshme për qytetarët, marrë parasysh rritjen e çmimeve që ka ndodhur vitet e fundit dhe se do të ketë efekte shkatërruese për familjet dhe ekonominë. Muharremi ka përmendur edhe Ligjin për Rregullatorin…

Lajme
Ekonomisti, Shenoll Muharremi, ka reaguar për paralajmërimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës përsëri prej 15 %.Ai ka shkruar se kjo është e papërballueshme për qytetarët, marrë parasysh rritjen e çmimeve që ka ndodhur vitet e fundit dhe se do të ketë efekte shkatërruese për familjet dhe ekonominë.
Muharremi ka përmendur edhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë ku thuhet se çmimi duhet të jetë i arsyeshëm, që të mos i kalojë limitet socio-ekonomike që familjet s’mund t’i përballojnë.
“Neni 15.4 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë kërkon që çmimi i rrymës të jetë i arsyeshëm, pra të mos i kalojë limitet socio-ekonomike që familjet nuk mund t’i përballojnë. Nuk duket se këto dispozita po përfillen. Nuk ka as arsyeshmëri dhe as transparencë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
A je n’veti ZRRE?
Propozimi për rritje të çmimit të rrymës, pas një inflacioni astronomik vitet e fundit, është i pa-arsyeshëm. I papërballueshëm. Me efekte shkatërruese për familjet dhe ekonominë. Vendimi është ndërmarrë me shumë dyshime dhe nuk duket që ka përfillur të gjitha këndet dhe perspektivat e legjislacionit në fuqi. Sidomos interesat e konsumatorëve nuk janë përfillur.
Këta të ZRRE po duken të ‘fortë’, por nuk është diçka e mirë apo fuqishme me u sillë ashpër me qytetarë të pambrojtur dhe pa përfaqësuar si duhet.
Disa veprime kontradiktore:
1. Gjatë fushatës zgjedhore, kur doli lajmi se mund të ketë rritje të çmimit të rrymës, ata e mohuan me shpejtësinë e dritës, ndoshta me instruksione politike… Por koha i demantoi keq.
2. Aplikuan një “teori të kontrastit,” ku fillimisht doli fjala (me siguri prej tyre) se rritja do të ishte 35%… që pastaj, kur u tha 15%, të dukej si një rritje e pranueshme apo jo aq e madhe!
3. Por 15% tani nënkupton 130%. Kjo për shkak se ky 15% i propozuar është në krye të shumë rritjeve të mëparshme. Nëse e krahasojmë me vitin 2021, atëherë me këtë rritje shtesë, shifra arrin rreth 130%. Pra, nuk është 15%, por është 130%.
4. Për më tepër, nuk po tentohet të rritet vetëm çmimi i energjisë… Ky është barometri i çmimeve në përgjithësi. Kjo rritje do të ketë një efekt bumerang në të gjitha çmimet e tjera, duke shkaktuar një valë të re inflacioni. E mos të harrojmë që ka produkte që tashmë janë 100% më të shtrenjta sesa në vitin 2021, dhe me këtë rritje/inflacion të ri, kush e di sa do të shkojnë!
5. Për të parë sa të pamëshirshëm dhe abuzues janë, shikoni grafikonin që kanë publikuar në komunikatën e tyre ku njoftojnë propozimin për rritje. Aty e kanë vendosur Kosovën me një ndër kostot më të lira në Europë. Kështu duket aty, por nuk është e vërtetë. Një mashtrim klasik. Pse? Sepse për të kuptuar vlerën reale, duhet të bazohemi edhe në të ardhurat, jo vetëm në çmimin. Kur integrohen fuqia blerëse dhe të ardhurat e qytetarëve të Kosovës, atëherë rryma bëhet një ndër më të shtrenjtat në Europë.
6. Neni 15.4 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë kërkon që çmimi i rrymës të jetë i arsyeshëm, pra të mos i kalojë limitet socio-ekonomike që familjet nuk mund t’i përballojnë. Nuk duket se këto dispozita po përfillen. Nuk ka as arsyeshmëri dhe as transparencë.
7. Ky rregullator nuk duket se punon për interesat e publikut, qytetarëve, familjeve dhe bizneseve… Veprimet dhe sjelljet e tij sugjerojnë se ai punon për interesa të ngushta. Gjithashtu, nuk i përfill dispozitat ligjore që kërkojnë mbrojtjen e konsumatorit.